Skënder Gashi, anëtar i këshillit drejtues të SBASHK-ut, ka thënë të premten se do të zbatojnë kontratën kolektive, ku thuhet se orët e humbura gjatë grevës nuk kompensohen përveç nëse palët nënshkruese të kontratës arrijnë marrëveshje të veçantë.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), po këmbëngul që të mos i zëvendësojë orët e humbura të mësimit nga greva.
Sipas tij, vendimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që orët të zëvendësohen të shtunave, ka qenë i njëanshëm.
“Ministria e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka nxjerrë një vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës, por ne do ta respektojmë kontratën kolektive, gjegjësisht nenin 34, të kontratës kolektive të pikës 8, ku thuhet se orët mësimore gjatë grevës nuk zëvendësohen, përveç nëse palët nënshkruese të kësaj kontrate arrijnë një marrëveshje të veçantë. Vendimi i zonjës Nagavci ka qenë vendim i njëanshëm, andaj ne orët nuk do t’i zëvendësojmë. Ne do ta respektojmë kontratën kolektive”, ka thënë Gashi në Klan Kosova.
Tutje, ka shtuar se nuk do të lejojnë që fëmijëve t’u mohohet e drejta për vikende, pushimi pranveror dhe të zgjatet viti shkollor së paku edhe për 10 ditë.
Ndryshe, pagat e shtatorit për të punësuarit në sektorin e arsimit janë ekzekutuar nga Thesari i Shtetit të premten pasdite, dy ditë pas kalimit të afatit ligjor.
Qeveria pati paralajmëruar se pagat do t’u dalin vetëm atyre që kanë punuar, por jo edhe atyre që kanë mbajtur grevë gjatë shtatorit.
Megjithatë, pagat janë ekzekutuar për të gjithë mësimdhënësit e ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka quajtur “paradhënie për orët e humbura të shtatorit që do të zëvendësohen nga mësuesit”.
Ende nuk dihet zyrtarisht se çfarë do të ndodhë me orët e humbura të mësimit në muajin shtator. Ministria e Arsimit ka marrë vendim që të zëvendësohen të shtunave, por SBASHK-u dhe Këshilli i Prindërve nuk janë pajtuar.