Lajmin e ka bërë të ditur SHSKUK përmes një komunikate për media, ku thuhet se vetura e Vitijës është djegur në parkingun e drejtorisë së përgjithshme të SHSKUK-së.
Drejtorit të Auditimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Musa Vitija, i është djegur të premten vetura.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur derisa po mbahej mbledhja e Bordit Drejtues të ShSKUK-së ku edhe ishte duke raportuar Vitija.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), njofton se sot derisa po mbahej mbledhja e Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe ishte duke raportuar drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të SHSKUK-së, vetura e tij private është djegur në parkingun e drejtorisë së përgjithshme të SHSKUK-së”, thuhet në njoftim.
Tutje, SHSKUK thotë se menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Bordi Drejtues dhe drejtoria e SHSKUK-së shprehen të shqetësuar me këtë rast, meqë djegia e veturës së të njëjtit zyrtar ka ndodhur edhe para disa javësh dhe kërkojnë nga organet kompetente të hetojnë rastin në detaje”, thuhet tutje.
Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 14:45, është raportuar se në parkingun e QKUK-së në Prishtinë, një automjet është përfshirë nga zjarri”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai mes tjerash ka bërë të ditur se dyshohet që nga zjarri ose tymi të jetë prekur edhe një automjet përreth.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit. Deri më tani raportohet për një të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.