“Amerikanët po rrisin praninë e tyre ushtarake në Kosovë, është interesante se ata thonë se po vijnë si plotësim për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Vuçiq, shkruan B92.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sot i është drejtuar popullit të tij me një adresim dhe tema më e nxehtë e fjalimit të tij ishte Kosova.
Në këtë fjalim ai tha se amerikanët janë duke e rritur prezencën e tyre ushtarake në Kosovë, derisa vazhdoi të propagandonte se ka “provokime të përditshme” nga shqiptarët.
Vuçiq tha se këtë e sheh si një sinjal që s’duhet të ëndërrojë që ta respektojë “Kartën e OKB-së dhe as Rezolutën 1244”.
“Duhet ta dimë se e vetmja e kujt duhet respektuar – vendimi i forcës. E kuptuam mesazhin. E drejta ndërkombëtare është shkelur prej kohësh, ekziston vetëm ligji i forcës. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i referohemi të drejtës ndërkombëtare, të cilit të tjerët i përmbahen vetëm kur u përshtatet”, ka thënë Vuçiq.
Në adresimin për popullin e tij, Vuçiq ka insistuar edhe sot se ka marrë një propozim nga Franca dhe Gjermania për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, edhe përkundër faktit se Berlini zyrtar një prej versioneve të publikuara në media e kishte mohuar.
Vuçiq ka thënë se struktura e dialogut po ndryshon dhe se ekziston edhe propozimi nga Gjermania dhe Franca që është në tavolinë e që përfshinë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.