Ndodh e pa pritura, Hydajet Hyseni, e ka kritikuar pak Vetëvendosjen!

Videot propagandistike që po i lanson Vetëvendosje kohë pas kohe  për t’i qeruar hesapet me parti e biznese që nuk i nënshtrohen Kurtit, i kanë rënë në sy edhe Hydajet Hysenit, veteranit të politikës kosovare, i akomoduar prej kohësh në Vetëvendosje.

Hyseni që është kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të VV’së, organ partiak që Kurti e mbledh kur i nevojitet, ka bërë një kritikë të matur duke theksuar se në skenën politike “për fat të keq mund t’u bëhen vërejtje të dyja palëve”.

“Ndonjëherë edhe ua kam thënë ndonjë fjalë edhe bashkëveprimtarëve”, ka thënë ai.

Tutje Hyseni ka thënë se ka një prirje të çuditshme në skenën politike kosovare “për të penguar, a për të pamundësuar një frymë së paku të një funksionimi me dallime dhe me vizione të ndryshme”.

Ai thekson se kjo është edhe arsyeja se pse nuk merr pjesë në diskutime politike.

“Po jo me atë gjuhë jo me atë qasje rrënuese që mbyllë derën e çfarëdo afrimi e bashkimi. Sinqerisht mua më bëhet e pamundur të marr pjesë në diskutimet për shkak të mënyrës si zhvillohen ato”, tha deputeti i Vetëvendosjes.

Hydajet Hyseni është një prej veprimtarëve që ka mbajtur edhe burg për cështjen e Kosovës. Sikur shumica, pas daljes nga burgu i ishte bashkuar LDK’së ku kishte qëndruar deri në vitin 1997. Pas luftës i ishte bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës. Por, në biografinë e tij në faqen e Vetëvendosjes nuk figurojnë këto të dhëna. Aty vetëm thuhet se ka qenë deputet.

“Pas lirimit nga burgu, nuk e ka reshtur veprimtarinë politike në lëvizjën e fshehtë të LPK-së dhe njëkohësisht ka qenë i angazhuar në alternativën politike të kohës si dhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ. Ai ishte anëtar i delegacionit në konferencën e Rambujesë, anëtar i Qeverisë së përkohshme, bashkëdrejtues në Strukturat e Përbashkëta Administrative dhe poashtu, deputet i disa legjislaturave që prej vitit 2000” thuhet në bion e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.