“Po ashtu është paraparë si vepër e re penale Testimi i virgjërisë, kjo vepër e re sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut”, shkroi Pireva në Facebook, ku listoi të gjitha masa ndëshkuese për veprat penale të dhunimit.
Testimi i virgjërisë është paraparë si vepër e re penale, në kuadër të masave ndëshkuese për veprat penale të dhunimit që Qeveria e Kosovës i miratoi në mbledhjen e sotme.
Kjo vepër e re sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut.
Kështu bëri të ditur Flamur Pireva, këshilltar i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ndryshe, Qeveria në mbledhjen e 100-të që u mbajt sot ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal që ashpërson dënimet kundër personave që shpallen fajtorë për veprat penale “Dhunim”, “Sulm seksual” dhe “Dhunë në familje”.
Pas mbledhjes, ministrja Haxhiu në një konferencë për media tha se kanë paraparë publikimin e listës në ueb-faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të personave që janë të dënuar për veprat penale të dhunimit dhe dhunës në familje dhe do të jetë e qasshme për publikun.
Masa të tjera janë ndalimi i blerjes në ankande të shitjes së pronave publike, aseteve publike apo licencave që jepen nga një autoritet publik në çfarëdo shërbimi nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
Ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe çdo formë tjetër e përfitimit nga privilegjet që jepen nga legjislacioni në fuqi nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
Ndalimin e të drejtës së kandidimit në çdo pozitë publike nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit dhe dhunës në familje
Ndalimin e punësimin në sektorin publik në të gjitha nivelet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit.
Ndalimin e të drejtës në përfitimin e patentë shoferit dhe të drejtën në drejtimin e automjetit në çdo lloj të kategorisë, nga një (1) deri në pesë (5) vjet, personit që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit.
Po ashtu është paraparë që në rastet kur kemi të bëjmë më veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen.
Është paraparë edhe një vepër e re sipas të cilës do të ndëshkohet penalisht kushdo që me qëllim të frikësimit ose detyrimit për të vepruar kundër vullnetit të tyre, me dashje ushtron dhunë fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike, në formë të drejtpërdrejtë apo indirekte, ndaj grave që ushtrojnë funksione publike ose kandidate për ushtrimin e funksioneve publike dënohet me gjobë dhe me burgim nga gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet ndërsa nëse vepra penale kryhet në formë të organizuar cilësohet si rrethanë rënduese.
Pas miratimit nga ana e Qeverisë, ky projektligj pritet të kalojë në Komisionin Parlamentar dhe pastaj në Kuvendin e Kosovës.