“Raporti që në fillim e përgëzon Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike”.
Kryeministri Kurti me të dytin e Qeverisë së tij, Besnik Bislimin, e shohin vetëm pozitivisht raportin e sivjetshëm të Komisionit Evropian për Kosovën. Kurti dje kur mori raportin bëri një përmbledhje të lëvdatave që ai i përsërit për qeverisjen e tij. Për Besnik Bislimin, raporti i këtij viti është prej më të mirëve që i janë bërë ndonjëherë Kosovës. Asnjëri nuk foli për kritikat që raporti i ka bërë në fusha të ndryshme.
Raporti i sivjetshëm i Komisionit Evropian flet për “faza të hershme” të progresit të Kosovës në shumë fusha, për progres të kufizuar të shënuar në shumë të tjera. Në të ka kritika për disa çështje e institucione, si për performancën e Kuvendit, apo qasjen e pushtetarëve ndaj mediave.
Kryeministri Albin Kurti nis komentimin e raportit me një fjali specifike të raportit, e cila thotë se Kosova ka stabilitet politik dhe partia në pushtet e ka shumicën në Kuvend. Kurti këtë pohim e quajti përgëzim.
Kurti beson se “sa i përket vitit që shkoi, vendi ynë ka shënuar progres në shumë fusha, përkundër krizave globale”.
Tutje Kryeministri vazhdoi më këndvështrimin e tij mbi progresin që Kosova e ka shënuar për një vit.
Në konferencën e thirrur për raportin e sivjetshëm të KE-së, Kurti ka folur edhe për terminalet, për të cilat, Lëvizja Vetëvendosje ka përgatitur ditë më parë një video, ku targeton figura politike, biznesmenë dhe familjarë të politikanëve.
“Edhe këtë vit janë ndërmarrë reforma që kanë qenë rekomandime të Bashkimit Evropian për një kohë të gjatë, e të cilat u injoruan nga qeveritë e kaluara, si për shembull, terminalet doganore private nuk janë në harmoni me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, tha Kurti.
Kryeministri Albin Kurti ka rritur lëvdatat për qeverisjen e tij, duke folur për shifra që ndonjëherë kontestohen. Kurti beson progres të madh prej kur ai erdhi në pushtet. Qeveritarit flasin vazhdimisht për rritjen ekonomike, që ata thonë se po e shënon Kosova, mes krizash globale, si inflacioni e kriza energjetike.
Kryeministri foli për qeverinë, për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe “rritjen” ekonomike. Por, Kurti nuk foli për shëndetësi dhe për këtë u pyet dje në konferencën për media. Nuk u përgjigj për gjendjen në shëndetësi duke thënë se për detaje flasin ministrat.
“Ministrat e linjës do të japin më në hollësi vlerësimet e tyre për raportin e progresit, i cili natyrisht, ka treguar se Kosova ka shënuar progres në periudhën 1-vjeçare të fundit. Por, sipas secilës fushë, do të tregojnë ministrat e linjës se si i konsiderojnë këto të gjetura këto vlerësime”, tha Kurti.
Kur Kurti mbylli fjalën e tij, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, që po e shoqëronte Kurtin në konferencë, dha këndvështrimin e BE-së rreth progresit të Kosovës.
“Në i japim meritat për progresin e arritur, që është në rrugën e duhur, mirëpo ka edhe shumë sfida. Reformat duhet të ofrojnë rezultate për njerëzit”, tha ndër të tjera Szunyog.
Përveç Kurtit, nga Qeveria, raportin e sivjetshëm e ka komentuar edhe Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi. Sipas tij, raporti për Kosovën është ndër më të mirët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ndër më të mirët që i janë bërë Kosovës ndonjëherë.
“Komisioni Evropian ka publikuar raportin e vitit 2022 për shtetin tonë. Ky raport është vlerësuar si një nga më të mirët në Ballkanin Perëndimor dhe ndër më të mirët ndonjëherë për Kosovën. Trendet pozitive të ’21-s dhe ‘22-s tregojnë një storje suksesi në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, të cilën Kosova e ka përqafuar fuqishëm”, shkroi Bislimi në Twitter.
Ndër shumë fusha të tjera, raporti ka folur edhe për dialogun me Serbinë, ku Kosovës i kërkohet të angazhohet në mënyrë më konstruktive.
“Kosovës i nevojitet të angazhohet më konstruktivisht dhe të bëjë përpjekje të mëtejme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të së kaluarës dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të normalizimit, ligjërisht të detyrueshme me Serbinë”, thuhej në raport.