Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka thënë se të shtunën nuk do të mbahet mësim, sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Arsimit për orët e humbura në grevë.
Në një konferencë për media të enjten, Jasharaj deklaroi se kompensimi i orëve të humbura në grevë nuk parashihet me kontratën kolektive të lidhur mes SBASHK-ut dhe MASHT-it.
“Lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevë, duhet të theksoj se ishte vendim i ngutshëm i ministres Nagavci e cila nuk respektoi marrëveshjen e lidhur mes SBASHK-ut dhe MASHT-it më 22 janar, 2021, dhe neni 34, pika 8, e cila thotë qartazi: ‘orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen, përveç nëse palët arrijnë marrëveshje të veçantë’”, tha Jasharaj.
“SBASHK është obligativ ta respektojë kontratën”, tha ai.
Vendimi i Ministrisë së Arsimit për zëvendësimin e orëve të humbura, sipas Jasharajt, “është i njëanshëm”.
Ai i bëri thirrje ministres së Arsimit, Abrërie Nagavci, për takim në javën e ardhshme.