Kurti tregon se çka biseduan në takimin me Lajçak në Prishtinë: Dialogun dhe tema të tjera

Kryeministri Albin Kurti tha se përsëriti angazhimin ndaj kuadrit të përgjithshëm të marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme të përqendruar në njohjen reciproke.

Kurti, ka folur për takimin me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në llogarinë e tij në Twitter, Kurti ka thënë se është diskutuar për dialogun e Brukselit.

“Sot mirëprita përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ne diskutuam për dialogun e Brukselit. Përsërita angazhimin tonë ndaj kuadrit të përgjithshëm të marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme të përqendruar në njohjen reciproke. Raporti i KE-së për Kosovën u vu re si një nga më të mirët në rajon”, shkroi Kurti.

Ndërkaq, Lajçak të enjten deklaroi para mediave se dy Kosova dhe Serbia nuk duhet të shpërdorin mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.

“Nuk do të thosha që viti tjetër është vendimtar, por e kam thënë më shumë se një herë se e kemi këtë dritare mundësie që do të zgjasë deri në zgjedhjet evropiane dhe amerikane më 2024. Mendoj që është përgjegjësia jonë që të mos e shpërdorojmë këtë mundësi”, tha Lajçak, kur u pyet nëse vitin e ardhshëm Kosova dhe Serbia do të mund të arrijnë ndonjë marrëveshje.

Për çështjen e targave Lajçak theksoi se 31 tetori është afati i fundit kur edhe skadon vendimi për to, derisa theksoi se bashkësia ndërkombëtare dëshiron të shoh se si të vazhdoj tutje dhe të shmangin ndonjë përshkallëzim të mundshëm të situatës.

Diplomati evropian tha se me Kurtin ka biseduar për çështjen e çuarjes përpara të normalizimit, për targat dhe energjinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.