“Unë jam anëtar i SNS-së. Me Aleksandar Stankoviqin kam udhëhequr një grup që i ka shërbyer nevojave të shtetit deri në vrasjen e tij, pas së cilës kam vazhduar të veproj kështu. Kemi bërë shërbime të ndryshme për shtetin, si parandalimi i takimeve, prishja e demonstratave, por edhe prishja e shtëpive private në rrugën Hercegovaçka”, ka thënë Belivuk, shkruan klix.ba.
Veljko Belivuk, kreu i grupit kriminal, është paraqitur para një gjykate në Beograd, ku po gjykohet për shtatë likuidime dhe krime të tjera të rënda dhe ka thënë se është anëtar i SNS-së së Aleksandar Vuçiqit.
Ai në fillim të mbrojtjes së tij në Gjykatën Speciale i ka mohuar të gjitha akuzat penale, shkruajnë mediat e huaja.
Sipas tij, ai dhe Marko Miljkoviq, drejtues të këtij grupi kriminal, kanë bërë shërbime për shtetin.
Siç vë në pah klix.ba, ai tha se pas lirimit nga paraburgimi në vitin 2019, ka pasur një takim me Aleksandar Vidojeviq i njohur si “Aca Roshavi”.
Sipas Belivuk, Vidojeviq i ka thënë se është dërguar nga “bosi” dhe se duhet të krijohet një grup tifozësh sepse në atë kohë në jug ishin tre grupe tifozësh, transmeton 24sata.
Belivuk iu referua edhe inaugurimit të presidentit Aleksandar Vuçiq, duke thënë se në sigurimin e ceremonisë së përmendur kanë marrë pjesë disa grupe tifozësh, ndër të tjera që kanë qenë në krye të pjesës rreth Kuvendit.
Lideri i këtij grupi kriminal po ashtu ka theksuar se gjoja ka qenë në kontakt me Darko Glishiqin (i besuari i Vuçiqit), dhe se ka qenë ai që i ka thënë se Vidojeviqi do të jetë në kontakt me ta dhe se është njeri i besueshëm.
Ata janë takuar me Vidojeviqin, por në një moment kanë dyshuar se ai nuk e ka raportuar “bosin” (presidentin serb Aleksandar Vuçiq) siç i është thënë, përcjell 24sata.
Ai ka folur edhe për takimin e supozuar që ka pasur me Aleksandar Vuçiqin, i cili, sipas tij, ka ndodhur në banesën e mikpritëses Katarina Shishmanoviq.
“… Nuk doja te bashkëpunoja me Vulinin se e dija që po merrte droge. E keni parë se si qeni në kufi iu hodh menjëherë mbi të, dhe unë e di si duket si kur dikush merr drogë”, citohet të ketë thënë ndër tjerash Belivuk në gjyq.
Siç kujtojnë mediat, Belivuk dhe bashkëpunëtorët e tij u arrestuan vitin e kaluar në një operacion spektakolar policor.
Ata akuzoheshin për shtatë vrasje, trafik droge, armëmbajtje pa leje, rrëmbim dhe përdhunim.
Presidenti i Serbisë më pas zbuloi detaje të dhimbshme nga hetimi – për shkatërrimin e mbetjeve njerëzore dhe kanibalizëm.
Megjithatë, Belivuk i mohoi me vendosmëri të gjitha këto në gjykatë.