Me anë të një shkrimi në Facebook, i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të largojë Tatimin në Vlerë të Shtuar (TVSH) në produktet e shportës familjare.
Abdixhiku ka thënë se çfarë është blerë në fillimvitin e kaluar me 100 euro, po blihet tash me 150 euro.
“Çmimi i miellit, vajit, bukës, qumështit, vezëve, domateve, patateve, orizit, fasuleve, sheqerit, naftës, benzinës e energjisë elektrike, është rritur për plot 50 për qind në njëzet muajt e fundit. Çfarë është blerë me 100 euro në fillim të vitit të shkuar, duhet të blihet me 150 euro sot. Këto nuk janë produkte luksi, e as të zëvendësueshme s’janë. Janë pjesë thelbësore e shpenzimeve mujore për çdo familje në vend”, ka shkruar Abdixhiku.
“Heqja e TVSH-së vetëm për këto produkte elementare, s’dëmton buxhetin e vendit. Heqja e TVSH-së lehtëson dukshëm përballueshmërinë e kosovarëve në këtë krizë të paprecedentë. Ky është propozimi ynë nga marsi i këtij viti”, përfundon ai.