Frymë të re në procesin e negociatave mes dy shteteve ka sjellë angazhimi i dy top-këshilltarëve të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, meqë në Bruksel diskutohej vetëm për çështje specifike teknike dhe s’kishte një përfshirje kaq direke që nga koha e Angela Merkel.
Intensifikimi i përpjekjeve muajve të fundit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lë të kuptohet se Perëndimi “do t’ia lidhë kryet disi” procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne përgjatë vizitës së tyre në Prishtinë kanë lënë në tavolinat e Kurtit dhe Vuçiqit propozimet e tyre, meqë Berlini dhe Parisi beson se duhet të ecet përpara në mënyrë vendimtare dhe më të shpejt për të mos i lënë hapësirë tensioneve.
Për propozimet e tyre Scholz dhe Macron kanë vënë afate dhe janë duke pritur përgjigje nga Kurti dhe Vuçiqi. Ndërkohë në adresë të dy liderëve ditë më parë ka ardhur edhe një telefonatë nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Kjo telefonatë e Blinken është pasur edhe me vizitën e Gabriel Escobar në Prishtinë dhe Beograd, e paraprirë nga vizita e Lajcak.
Përgjatë këtij muaji janë shtuar edhe deklarimet që flasin për fundin e këtij viti si afati final për arritjen e një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Për këtë çështje ka folur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se marrëveshja finale mund të kryhet brenda këtij viti.
“Cilindo kryeministër sepse është çështje e interesit nacional. Ekziston një ofensivë ndërkombëtare për ta përfunduar këtë çështje. Jemi në fazën finale, ditëve apo para javëve të një marrëveshje finale. Është e mundshme (para dhjetorit). Besoj që interesi i ndërkombëtarëve është serioze. Ka një kornizë kohore”, ka thënë Haradinaj në Klan Kosova.
Për afate kohore ka folur edhe Miroslav Lajcak dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Lajcak ka thënë se është mirë të shfrytëzohet periudha e mbetur dy vjeçare për arritjen e një marrëveshje, derisa Kurti ka thënë se beson që s’janë në dispozicion as edhe dy vite për të arritur një marrëveshje me Serbinë.
Nga këto deklarime të Lajcak dhe Kurtit ku flitet për vite është ndarë i befasuar presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, i cili ka thënë se s’bëhet fjalë për vite e as për muaj, por për javë.
Se ka një presion ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshje finale ka shkruar sot edhe mediumi serb “Novosti”. Sipas kësaj gazete, në drejtim të Serbisë është duke u bërë presion i madh për çështjen e Kosovës dhe se po kërkohet hapur që deri në dhjetor të gjendet një zgjidhje dhe të arrihet një marrëveshje.
Se po kërkohet një intensifikim i angazhimit në procesin e negociatave e ka konfirmuar sot edhe vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në një konferencë për media pas takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova është e gatshme për intenfisikim të angazhimit në procesin e dialogut.