“Nuk di asgjë më shumë për detajet, pasi një orë e gjysmë më parë familja më tha se po më angazhonin për ta mbrojtur. E vetmja gjë që di është teksti që kam lexuar në media se Prokuroria Speciale e ka arrestuar nën dyshimin se është pjesëtar i ndonjë grupi kriminal që dyshohet se ka marrë pjesë, ndër të tjera, në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, tha Brklaç.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se policia ka arrestuar M.M., i cili dyshohet se është pjesëtar i grupit të organizuar kriminal të lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Sipas mediave serbe i arrestuari është Milan Mihailoviq, i cili është i afërt me biznesmenin kontrovers Zvonko Veselinoviq dhe ai ndodhet është në listën e personave ndaj të cilëve SHBA kanë vendosur sanksione.
Avokati Miodrag Brklaç ka thënë për “Nova.rs” se është e vërtetë që Milan Mihailoviq është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
Ai thotë se duke qenë se është arrestuar të mërkurën rreth orës 22:30, të premten gjatë ditës duhet të mbahet seanca në Gjykatën Speciale në Prishtinë, ku duhet të vendoset nëse ai do të mbetet në paraburgim apo do të lirohet.
“Duke pasur parasysh zhvillimin e situatës, seriozitetin e akuzës dhe gjithçka që po ndodh, ka shumë të ngjarë që atij nesër do t’i caktohet paraburgimi”, tha avokati Brklaç.
Mihailoviq ishte përmendur edhe më herët si njëri nga të dyshuarit në këtë rast, por nuk ishte përfshirë në aktakuzën e ngritur.
Milan Mihailoviq është në listën e personave ndaj të cilëve Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione. Në arsyetim thuhet se Mihailoviq është një nga nëntë bashkëpunëtorët e Zvonko Veselinović-it që kanë punuar për të ose në emër të tij.