Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, në lidhje me diskutimin dhe propozimin e Qeverisë për të vendosur çmimet tavan në produktet bazë, ka thënë se parimisht janë kundër intervenimit të shtetit në vendosjen e çmimeve.
Sipas Krasniqit, kur ka nevojë për ndërhyrje të tilla, duhet të bëhen sipas kushtetutës, e jo në kundërshtim me të.
“Neni 119 i kushtetutës thotë qartë se duhet të ketë autoritete të pavarura që merren me intervenimin në treg në raste emergjente. Ministri nuk është organ i pavarur. Sot, nëse kish me hy ky ligj në fuqi, ne kishim për të pasur një ministre me aktakuzë e cila kishte për të përcaktuar cilat produkte munden qytetarët me i ble, cilat jo dhe me çfarë çmimi. Ky është diktat. Kjo mund të ndodhë në Kinë ose në Kubë, por jo në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.
Me këtë projektligj, Kryetari i PDK-së ka thënë se do të mbyllen shumë minimarkete të vogla e mijëra qytetarë do të mbesin pa punë.
“Deri tash, kjo Qeveri dhe as ministritë që e kanë si obligim primar, nuk kanë paraqitur asnjë evidencë se rritja enorme e çmimeve po shkaktohet nga abuzues të çmimeve. Në fakt, ka qenë vetë kjo ministre që ka thënë se e kanë gjetur fajtorin për rritjen e çmimeve, duke i shpallë fajtorë marketet e vogla të lagjeve për këtë gjë. Atëherë ju kam thënë se e paskët ndërmend për të bëni një ligj që i mbyllë këto markete dhe ja ku jemi sot, me pikërisht një propozim të tillë, i cili, fatkeqësisht, do të lë pa punë mijëra qytetarë”, ka shtuar ai.
Për më tepër, ai ka thënë se kjo është ndërhyrje direkte në tregun e lirë dhe shkelje e ligjit.
“Një prej parimeve bazë në deklaratën e pavarësisë së Kosovës, është ekonomia e tregut. Këtë bazament ju sot po dëshironi me e thy. Ju e keni ba një ligj që nuk ka as afat kohor as asgjë. Në rast se duhet me u rregullu tregu, kryesisht në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, për këtë qëllim Republika e Kosovës themelon organe të pavarura, jo Qeveria me i diktu çmimet”, ka thënë lideri i PDK-së.
Më tej, kryetari i PDK-së i ka përmendur refuzimet e vazhdueshme që i kanë bërë për Qeverinë.
“Ju kemi ftuar që një vjet me e heqë TVSH-në për çmimet esenciale, akcizën për naftë, që kishin me i ulë çmimet, keni refuzuar. E çka po bëni, tash e tutje dëshironi me ju tregu qytetarëve kur munden oriz e makarona me hangër”, ka përfunduar ai.