Memli Krasiniqi me një mesazh si dikur vet lideri i LVV-së, refuzon ftesën e Kurtit për takim

“Vetëm pasi kërkuam sqarime, kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze – siç është Dialogu Kosovë-Serbi. Pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë. Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për çështje teknike. Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinion flitet për një dokument që ju e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerët nderkombëtar të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vendosur të mos shkojë në takim me kryeministrin Albin Kurti të premten e ardhshme.

Nëpërmjet një video selfie të publikuar në faqen e tij në Facebook, lideri i opozitës kosovare tha se ftesa e kryeministrit Albin Kurti është joserioze, pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll.

Kreu i PDK-së tha se kryeministri Kurti po e fsheh prej qytetarëve dhe institucioneve këtë dokument dhe po ashtu po e fshehë pozicionin në këtë çështje të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

“Është shqetësuese mungesa e vazhdueshme e transparencës prej jush dhe qasja joserioze që mbani për një temë kaq serioze. Siç e kam deklaruar edhe në shumë raste të tjera, Partia Demokratike e Kosovës do ta mbështesë një marrëveshje finale qe ka si bazë njohjen e ndërsjellë dhe ruajtjen e rendit kushtetues të vendit tonë”, ka vazhduar ai.

Krasniqi tha se PDK asnjëherë nuk ka ikur nga përgjegjësia shtetërore dhe këtë nuk do ta bëjë kurrë.

“Por, për tema të tilla, për vendime të mëdha, ju së pari duhet të bëheni serioz dhe ta kuptoni se vendi i diskutimit nuk është një zyrë, por është salla e Kuvendit të Kosovës, sepse Kuvendi i Kosovës është adresa e popullit. Prandaj, diskutimet që i keni menduar për të premten në zyrën tuaj, ju ftoj që t’i bartni në Kuvend”, ka deklaruar në fund Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.