“Qëndrimi jonë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacioni që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim”, tha ai.
Të mërkurën në mediat e Kosovës ka qarkulluar një “Draft gjerman”, për Asociacionin. Drafti përmban 17 nene dhe parasheh që ky Asociacion do t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Telegrafin se qëndrimi qeveritar për Asociacionin është i pandryshueshëm.
Sipas Kryeziut, Asociacioni që karakter themeltar, ka etninë, bie ndesh me Kushtetutën.
Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar në media, Kryeziu ka thënë se përveçse është Draft, është edhe pa autor.
“Ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë.
Ndërkaq, sipas draftit që ka siguruar KOHA, janë disa objektiva kryesore të Asociacionit: Forcimi i demokracisë lokale, mbikëqyrja e plotë e zhvillimit të ekonomisë lokale dhe ajo e edukimit.
Ndër funksionet që përfshin drafti është edhe mundësia e bashkëpunimit me shtete e operatorë ekonomikë të rajonit, përfshirë të Republikës së Serbisë në fushën e ekonomisë lokale, edukimit e shëndetësisë.
Për çështjen e Asociacionit, të mërkurën ka folur edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.
Në një intervistë për kanal10, Escobar ka thënë se me presidenten Osmani, kanë diskutuar për disa modele e opsione për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjithmonë sipas tij, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Në mëngjes fola me Presidenten Osmani, për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë, që të jetë një situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën. Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës, dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës”, ka thënë ai.
“Por, duke thënë këtë ka shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë, që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po, do të donim ta shihnim duke u zbatuar”, ka vijuar Escobar.