BE: Presim themelimin e Asociacionit me Komunat serbe nga Prishtina zyrtare

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kosova ka hyrë në marrëveshje për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe. Kjo marrëveshje është lidhur me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Nuk është tërhequr asnjëherë”, tha Stano.

Qeveria e Kosovës s’ka ndryshuar qëndrim, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kërkojnë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se për Asociacionin nuk ka ndryshuar as qëndrimi i Unionit.

Duke kujtuar se Marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua në Kuvend me 2/3 e votave të deputetëve, Stano thotë se Kosova ka obligim ndërkombëtar që ta zbatojë atë.

Kryeministri Albin Kurti e kishte shpallur të vdekur Asociacionin, duke thënë se formini i tij i shkon për shtati vetëm Beogradit dhe duke përsëritur se ajo marrëveshje ishte shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Këtë të fundit, zëdhënësi i BE-së e quan keqinterpretim.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë është keqinterpretuar rregullisht. Gjykata asnjëherë nuk tha se Asociacioni/Bashkësia nuk mund/nuk duhet të themelohet”, thotë Stano.

Prandaj, ai thekson se në BE presin që “Kosova t’i respektojë zotimet që ka marrë në Dialog”.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe planifikohet të jetë pjesë e rëndësishme e marrëveshjes që Kosovës dhe Serbisë po iu kërkohet ta nënshkruajnë brenda javësh. Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar tha se mëngjesin e së mërkurës me presidenten Vjosa Osmani kanë folur për mënyrat e ndryshme se si mund të formohet ky asociacion.

Për Escobarin, gjëja më e rëndësishmja është që Asociacioni “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës”.

Qeveria, ndërkohë, bëri të ditur se është kundër. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i tha të enjtën se qëndrimi për këtë çështje “është i njohur, i qartë dhe i njëjtë”.

“Asociacione që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet joshumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim”, ka thënë Kryeziu.

Leave a Reply

Your email address will not be published.