Ftesës së Kurtit nuk i janë përgjigjur pozitivisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ka nisur të mbahet takimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kërkesa e Kurtit për takim me partitë opozitare erdhi pas intensifikimit të takimeve me ndërkombëtarët lidhur me procesin e dialogut, raporton Telegrafi.
Javën e kaluar për vizitë në vend ishte i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndërkaq gjatë kësaj jave ishte edhe i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar.
Nëpërmjet një video të publikuar në faqen e tij në Facebook, i pari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ftesa e kryeministrit Albin Kurti është joserioze, pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll.
Kreu i PDK-së tha se kryeministri Kurti po e fsheh prej qytetarëve dhe institucioneve këtë dokument dhe po ashtu po e fshehë pozicionin në këtë çështje të rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se LDK nuk do shkojë në takimin e thirrur nga Kurti.
Sibel Halimi, zëdhënëse politike e LDK-së tha për Telegrafin se për temën e dialogut, kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës.
“Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak.
Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme”, tha ajo.