Kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së, Altin Sahiti ka konfirmuar se është shkarkuar rektori Naser Sahiti.
Naser Sahiti është shkarkuar nga pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës.
Ai ka thënë se në mbledhjen e sotme, 8 anëtarët e KD-së, kanë qenë pro shkarkimit.
“Po është shkarkuar me 8 vota për dhe 1 abstenim”, ka thënë ai.
Po ashtu ai ka shtuar se kanë votuar edhe për ushtruesin e detyrës të kësaj pozite.
“Është emëruar profesoresha Luljeta Plakolli Kasumi”, ka deklaruar ai.
Të mërkurën 19 organizata të shoqërisë civile janë deklaruar se denoncojmë çdo tentativë të shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale të keqpërdorimeve të mundshme të tyre.
Sipas këtyre organizatave partia që qeverisë me vendin po synon që duke bërë ndërrimin e rregullativës të “punësoj dhe avancojë njerëzit e afërt të saj në pozita më të larta akademike”.
Këto organizata thonë se asnjë skandal nuk është raportuar që nga zgjedhja e prof. dr. Naser Sahitit në pozitën e rektorit.
“Përkundrazi, organizatat monitoruese të arsimit të lartë para pak kohësh kanë theksuar avancimin e transparencës në Universitetin e Prishtinës gjatë mandatit të tij. Po ashtu, organizatat monitoruese të UP-së kanë raportuar se në proceset e ndjeshme, si ato të avancimeve akademike, ka pasur meritokraci”.