Pas ndarjes së LV-së, Glauk Konjufca, është konsideruar njeriu numër dy pas kryetarit Albin Kurti. Por, në hierarkinë e partisë, renditja, deri tash, nuk ishte e kësisojtë. Zyrtarisht, nënkryetari i parë i Vetëvendosjes ishte Besnik Bislimi, që shpejt ishte kthyer në krahun e djathtë të Kurtit.
Glauk Konjufca tani është bërë nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje. Para kësaj përzgjedhjeje janë dashur disa fotografi të Konjufcës me liderin Albin Kurtin për të demantuar fjalët se raportet e tyre nuk janë të mira. Një video e papritur e Konjufcës ku glorifikonte shokun e tij pasoi me ripozicionim të tij në majën e partisë. Konjufca u bë i dyti në parti, në kohë të vështira për Kurtin, që lidhen me dialogun dhe insistimin ndërkombëtar për marrëveshje të shpejtë
Muajve të fundit, përflitej se raportet e Kurtit me bashkëpunëtorin e tij, Glauk Konjufcën ishin ftohur. Dëshmi e kësaj merreshin veprimet e Konjufcës ndryshe, ndonjëherë edhe kundër, qëndrimeve të Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Në Kuvend, Kryeparlamentari Konjufca disa herë ka votuar ose vepruar ndaras prej partisë së tij. Një video e një diskutimi mes tij dhe Kurtit në sallë, gjatë një seance, ku në fakt dukej se nuk po merreshin vesh me njërin tjetri, u bë virale para disa javëve. Spekulimet se prej kohësh Kurti dhe Konjufca mendojnë ndryshe për shumë gjëra, po përshkruheshin në një video ku nuk dëgjoheshin zërat, por lexoheshin për nga gjuha e trupit.
Pas kësaj, partia u mobilizua që të dëshmonte se dyshja e LV-së, drejtuesi i Kuvendit dhe i drejtuesi i Qeverisë, kanë raporte të mira me njëri – tjetrin.
Postim i publikuar nga Ilir Kërçeli – shef i stafit të Kryeparlamentarit Konjufca
Më herët nuk do të ishte lajm nëse dy bashkëpunëtorët e vjetër dhe udhëheqësit e shtetit qëndrojnë bashkë, por pas zërave rreth relacionit Kurti-Konjufca, nisën të publikoheshin fotografi nga vende të ndryshme ku ata kapeshin kryesisht duke biseduar.
Fotografi e publikuar nga një aktivist i VV-së, e ripublikuar në media
May be an image of 5 people, people standing and indoor
Fotografi e publikuar nga anëtari i kryesisë, Arlind Manxhuka
16 shtator, 2021/FB
Në fund të gushtit u diskutua se si Konjufca dhe disa figura të tjera kryesore të partisë kishin munguar në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku Kurti kishte mbajtur një fjalim të gjatë me këshilla e kritika.
Pak më vonë, në një mbledhje të radhës të partisë rreth zgjedhjeve të brendshme ku Kurti shpallte kandidaturën për kryetar të VV’së, Konjufca nuk ishte serish prezent. Por, ai u shfaq përmes një videothirrjeje, ku foli për Kurtin me fjalët më të bukura.
“Ne arritëm këtu ku jemi edhe falë një fakti tjetër shumë të rëndësishëm. Ne e patëm po ashtu një drejtues të pathyeshëm, dhe vizionar, shumë të përgatitur e të sinqertë. Modest për vete dhe shumë i vendosur për të mirën e popullit. Dhe, ky është Albin Kurti“, kishte thënë ndër të tjera Konjufca, përmes “Skype”.
Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Përgjithshëm, ku zgjodh kryesia e re e partisë, Konjufca u shpërblye mirë. Ai u bë nënkryetari i parë i partisë, në vend të Besnik Bislimit. Nënkryetare e dytë, në vend të Fatmire Kollçakut, u zgjodh Mrika Limani – Myrtaj.
Konjufca në përbërjen e kaluar të kryesisë, ishte një nga anëtarët e saj.
Në kryesinë e re mungoi, ndër figura të tjera të vjetra të partisë, edhe ministri Liburn Aliu.