Në këtë Javë e cila ka edhe moton “Moment Reflektimi i Zinxhirit Institucional”, u kërkua bashkëpunim institucional me efikas në mbrojtje të viktimave të krimit.
Në nisjen e “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për një rol më pro-aktiv të institucioneve të drejtësisë në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin më efektiv të veprave penale kundër integritet seksuale
Presidentja Osmani ka kritikuar institucionet e drejtësisë për mungesë të reagimit efektiv ndaj rasteve të sulmeve seksuale, për çka tha se kjo po i trimëron kriminelët.
Shefja e shtetit tha se kjo Javë duhet të shihet si nxitje që të punohet me përkushtim për parandalimi dhe ndëshkimin e pa kompromis të kryerësve të krimeve seksuale dhe çdo lloj krimi tjetër.
“Ajo që e bëri akoma më të rëndë këtë situatë ishte mungesa e reagimit efektiv të institucioneve në adresim të këtyre veprave penale. Prandaj, pas takimeve që kemi pasur me institucionet përgjegjëse, sot jam këtu për të bërë thirrje publike për një rol shumë pro-aktiv të institucioneve tona në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin më efektiv të veprave penale kundër integritet seksuale… Më e pakta që mund të bëjnë institucionet tona është të veprojnë në mbrojtje të viktimës, në mënyrën sa më efikase të efektive dhe në raste të shumta e veçanërisht, në rastin e fundit të vajzës 11-vjeçare, është parë se ky reagim i duhur në mbrojtje të viktimës ka munguar”, tha ajo.
Para prokurorëve e gjyqtarëve, presidentja Osmani kërkoi mbështetje për procesin e vettingut. Ndërsa, theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është kauzë për drejtësi.
“Duhet të sigurohem që të bëhet maksimumi për t‘i siguruar përkrahje viktimave ne zotohemi për përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve e institucioneve tona në mënyrë që këto raste të adresohen si duhet… Konsideroj se është tejet e rëndësishme që të gjithë akterët relevantë të japin kontributin e tyre për një proces sa më të mirëfilltë, vetëm kur i bashkojmë forcat tona, vetëm kur dhe institucionet e drejtësisë japin kontribut substancial në këtë proces mund të presim sukses për vendin tonë e qytetarët tanë…”.
shtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi bëri thirrje për një bashkëpunim profesional dhe institucional për të mbrojtur viktimat e krimit. Ai u shpreh se kryesit e krimit do të ndëshkohen, ndërsa për viktimat theksoi se do të ofrojnë një proces të drejtë.
Kelmendi u shpreh se vetëm në 9-mujorin e këtij viti, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit ka ofruar ndihmë për mbi 2.100 raste, ndërsa prej 15 kërkesave për kompensim, 12 viktima tashmë janë kompensuar, dy janë në proces dhe një është refuzuar.
“Përkushtimi ynë duhet të jetë serioz dhe profesional, në mënyrë që në asnjë moment të mos ketë neglizhim dhe vonesa me ndjekjen dhe ndëshkimin e atyre personave që cenojnë të drejtat dhe vlerat e tjera të viktimave që garantohen me Kushtetutë dhe ligjet e Kosovës. Kështu, ne do t’ua mundësojmë të gjitha viktimave një proces të drejtë dhe do t’u sigurojmë atyre një jetë normale në frymën e paqes, dhe prosperitetit.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffery Hovenier u shpreh se “Java për të drejtat e viktimave të krimit”, duhet të shërbejë për të ndërmarrë të gjitha veprimet për të ofruar mbrojtje dhe drejtësi për viktimat e krimit.
Derisa u shpreh se Kosova ka bërë hapa që duhen lavdëruar në këtë drejtim, Hovenier kërkoi nga institucionet e drejtësisë që rastet e dhunës në familje, por edhe ato seksuale të kenë prioritet në trajtim.
“Shpresojmë që kjo javë jo vetëm rrit ndërgjegjësimin, por edhe që të jetë një thirrje për veprim. Dëshirojmë që ta shfrytëzojmë këtë Javë për të reflektuar mbi përpjekjet tona, por edhe që të ndërmarrim veprimet që të gjitha viktimat të kenë shërbimet e duhura dhe drejtësi… Ka shumë gjëra që mund t’iu lavdërojmë dhe jemi krenarë për rolin tonë që kemi bërë që institucionet e Kosovës për të garantuar që garantimi i të drejtave të viktimave është kodifikuar në Kodin e ri të Procedurës Penale, gjithashtu Qeveria e Kosovës do të zgjerojë kompensimin për një kategori më të madhe të viktimave të krimit dhe kjo tregon vetëm përkushtimin thelbësor të Kosovës për mbrojtjen dhe kompensimin e viktimave”, tha ai.
Kryetar i Gjykatës Supreme, Enver Peci u shpreh se po punojnë në unifikimin e praktikave ndëshkimore.
“Po vazhdojmë punën në unifikimin e praktikës gjyqësore, nxjerrja e udhëzuesve për politikë ndëshkimore nga ana e Gjykatës Supreme dhe me mbështetjen e ambasadës amerikane ka filluar ta ndryshojë këtë praktikë gjyqësore. Fillimisht, zbatimi i politikës ndëshkimore ka qenë shumë i ulët, por kohët e fundit ka trend pozitiv dhe besoj se gjyqtarët kanë kuptuar rëndësinë e unifikimit të dënimeve sepse gjithsesi ajo do të ndikojë në vlerësimin e punës së tyre”, theksoi Peci.
Java për të drejtat e viktimave të krimit mbahet për herë të 13-të në Kosovë, ndërsa gjatë kësaj jave në shtatë rajonet e Kosovës do të mbahen tryeza diskutimi.