Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimi, paraprakisht njoftoi se seanca e sotme është e mbyllur për publikun.
Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të martën është mbyllur për publikun seanca e rigjykimi ndaj të akuzuarit për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, Zoran Vukotiq.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtine më 5 korrik 2021, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Vukotiq, ashtu që i njëjti ishte dënuar me 10 vite burgim.
Kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit kishte parashtruar ankesë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), duke kërkuar që ndaj tij të ashpërsohet dënimi.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Vukotiqit, avokati Nebojsha Vlajiq, me ankesë kishte propozuar që aktgjykimin dënues të shkallës së parë ta ndryshojë për shkak të të gjitha bazave ankimore dhe i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ankesë kundër këtij aktgjykimi kishte parashtruar edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Shpresa Berisha, lidhur me vendimin mbi dënimin, duke pretenduar se janë plotësuar të gjitha kushtet që të lartpërmendurit t’i caktohet një dënim më i lartë.
Vukotiq akuzohej se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e Komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore.
Sipas prokurorisë, Vukotiq ka kryer dhunim seksual si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.