Analisti serb, Dushan Janjiq thotë se po luhet një lojë e rrezikshme nga Kurti e Vuçiqi

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të fillojnë t’i konvertojnë targat e makinave në RKS.

Gjatë Samitit rajonal për sigurinë, ekonominë dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Prishtinë, ai përkujtoj se afati përfundon me 31 tetor, për sa kohë që nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kërkuar shtyrja e vendimit.

Analisti politik, Dushan Janjiq, thotë se kryeministri i Kosovës ende nuk e ka një vendim të prerë për këtë çështje.

Sipas tij, Kurti po vazhdon të negocioj me partnerët ndërkombëtarë, e veçanërisht me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Unë e kam dëgjuar fjalimin e Kurtit me kujdes. Ai tha se nuk do ta shtyje vendimin për targa, por në të njëjtën kohë ai la hapësira për negociata. Kryeministri Kurti është duke negociuar me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, para se të marrë një vendim final. Në anën tjetër ajo që po më shqetëson mua është se po luhet një lojë e rrezikshme si nga Kurti ashtu dhe Vuçiq ku siguria është në pyetje”, u shpreh Janjiq.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Emir Abrashi e sheh të arsyeshme që vendimi për targat të shtyhet për një kohë të caktuar.

Abrashi, thotë se Kosova duhet t’i marrë vendimet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Ndërkaq presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se qytetarët serbë nuk do ta dëgjojnë kryeministrin Kurti, lidhur me konvertimin e targave.

E interesimi i qytetarëve serbë për t’i konvertuar targat e makinave ka qenë jashtëzakonisht i vogël.

Leave a Reply

Your email address will not be published.