Kthehet në rigjykim rasti skandaloz i dhunimit në Pejë, ishte dënuar me tetë muaj e tetë ditë burgim

Gjyqtarja e rastit Florije Zatriqi pas publikimit të hulumtimit ishte suspenduar nga puna. Ajo me vendim të Këshillit ishte degraduar në Divizionin për Kundërvajtje.

Është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore të Pejës, rasti skandaloz i dhunimit të një të miture, dhunuesi i së cilës ishte dënuar me tetë muaj e tetë ditë burgim.

Seanca e parë është caktuar të mbahet sot në orën 14:00.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.

Zhuti bëri të ditur se gjyqtar i rastit është caktuar Arben Mustafa.

Si kishte ndodhur rasti

Ishte janari i vitit 2012 kur një vajzë e mitur 15-vjeçare ishte përdhunuar në një shtëpi të pabanuar në Komunën e Gjakovës. Duke dalë nga spitali, e re dhe e pambrojtur ishte ndalë papritmas nga dy persona të cilët nën kanosjen e thikës e kishin marrë dhe dërguar në atë shtëpi. Ajo ishte dhunuar gjatë tërë natës, dhe sikur të mos mjaftonte për dhunim ishte ftuar edhe një person tjetër i mitur.

Nëntë vite më vonë, për këtë akt përdhunimi seksual u ngritën dyshime të mëdha mbi një gjyqtare dhe prokurore për mënyrën e gjykimit dhe vendosjes për këtë akt.

I akuzuari i cili kur kishte ndodhur përdhunimi ishte 21 vjeçar, u dënua nga gjykata me vetëm tetë muaj e tetë ditë burgim.

Dënimi kishte nxitur reagime të shumta.

Lidhur me këtë rast pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial, është zhvilluar një aksion simbolik nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist. Në këtë aksion simbolik është kërkuar të hetohet përgjegjësia disiplinore e gjyqtares së rastit, të shkarkohet gjyqtarja e rastit dhe të ofrohet transparencë e plotë për rastin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.