​Deputeti ukrainas: Kosova është shtet i pavarur

Me duartrokitje është pritur nga parlamenti i Kosovës, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko. Ai në seancën e sotme ka mbajtur fjalim para deputetëve, ku ka garantuar se do të punojë për njohjen e Kosovës.

“Kosova është Evropa” ka thënë ai, derisa ka shtuar se edhe në Këshillin e Evropës do të mbështes Kosovën që të bëhet anëtare me të drejta të plota.

Para fillimit të seancës plenare, deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se do të punojë për njohjen nga Ukraina.

Kështu u shpreh ai para parlamentit të Kosovës, derisa theksoi se më 5 gusht i ka thënë parlamentit ukrainas që ta njeh pavarësinë e Kosovës si shtet të pavarur.

“Unë mendoj që kjo duhet të bëhet sa më parë, sepse ju keni luftuar për lirinë tuaj, ju jeni një shtet i pavarur. Unë do të bëj çfarëdo që është në fuqinë time që t’ ju ndihmoj me këtë. Dhe dua t’ ju informoj që miqtë e Kosovës, tani i ka edhe më të shumtë miq. Në parlamentin ukrainas kemi organizuar një kauzë për miqtë e Kosovës dhe unë kam nderin që të jem kryetari i kësaj kauze. Dhe mund të llogaritni në ne në çdo moment. Dhe do të bëjmë çfarë do që është e mundur që t’ ju ndihmojmë që të ecim kësaj rruge së bashku me ju. Edhe si anëtar të Parlamentit të Këshillit të Evropës, si zëvendës president i Komisionit për Refugjatët dhe Migrim në Këshillin e Evropës dua t’ ju siguroj se unë aty do të bëj çfarëdo që është e mundur që të mbështes Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës me të drejta të plota sa më parë që është e mundur. Kosova është Evropa, unë besoj në këtë”, ka deklaruar ai para Kuvendit të Kosovës.

Ai ka shtuar se Kosova e pavarur e shkatërron ëndrrën e Jugosllavisë së re. Sipas tij, njerëzit nga Ukraina janë të fortë dhe do të dalin fitimtarë nga invazioni rus.

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka deklaruar se popullata nga shteti që vjen është e afërt me Kosovën.

“Sot, mijëra ukrainas dhe njerëzit e huaj janë duke luftuar për sigurinë e Evropës dhe sigurinë e tërë botës së lirë në Ukrainë. Kjo nuk është vetëm për pavarësinë e Ukrainës, por për të gjithë botën e lirë. Ne ndjehemi shumë të afërt me ju, sepse edhe njerëzit kosovarë kanë kaluar nëpërmjet një gjenocidi. Njerëzit e Ukrainës janë duke kaluar këtë tani. Kosovarët kanë luftuar për pavarësinë e tyre dhe ne tani jemi duke luftuar për pavarësinë tonë. Jo për herë të parë në këto 100 vjetet, por këtë herë ne do të fitojmë. Dhe dua t’ ju siguroj se do të jemi ne fituesit dhe do të fitojë bota e lirë, sepse ne do të kemi sukses në këtë luftë”, ka thënë ai.

Para deputetëve të Kosovës, ai shtoi se ushtria ruse nuk mund të bëjë asgjë, kështu siç tha ai, ata po tentojnë që të hakmerren ndaj civilëve dhe njerëzve të pafajshëm.

Ai ka kërkuar edhe nga Parlamenti i Kosovës që të cilësojë si regjim terrorist, luftën që po bën Rusia kundër Ukrainës.

“Unë erdha nga Brukseli dje dhe dua t’ ju them që në fund të nëntorit, Parlamenti Evropian do të votojë për cilësuar si regjim terrorist, regjimin rus. Dhe Këshilli i Evropës e ka bërë këtë në tetor. Dje është bërë nga senati në Poloni dhe kërkoj edhe nga ju ta bëni një gjë të tillë. Që ta cilësoni këtë regjim rus si një regjim terrorist, i cili është duke bërë një gjenocid kundër ukrainasve dhe kjo është një fakt. Dhe dua të ju them që ne kemi shumë gjëra të përbashkëta”, ka shtuar ai.

Deputeti ukrainas gjatë këtij muaji para Këshillit të Evropës ka kërkuar njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet mos-njohëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published.