“Jo vetëm që je mashtrues ministër, por je mashtrues recidivist. Ju i keni mashtruar mërgimtarët tonë duke thënë se do t’i largojmë të gjitha policat, pra nuk do të keni fare. Tani keni mashtruar, sepse i keni rimbursuar vetëm 8 për qind. Prandaj, je mashtrues, gjema emrin tjetër për mashtruesit e do ta them ndryshe. I keni mashtruar mërgimtarët dhe ky është fakt”, tha Musliu.
Musliu gjatë pyetjes parlamentare për Muratin ka thënë se vetëm 8 për qind e tyre janë paguar dhe se ky është një mashtrim karshi mërgimtarëve. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati lidhur me pagesën e policave të sigurimit në kufi për mërgimtarët.
Ndërsa, në anën tjetër ministri i Financave ka theksuar se për periudhën 1 qershor deri më 31 gusht kanë aplikuar 8,845 persona.
“Këtë vit kemi ndryshuar proceduarën dhe synimi ka qenë që të reduktohen pritjet në kufi dhe përsëri rimbursimi të bëhet online. Numri i aplikantëve për rimbursim periudhën që po përmendeni është 8,845 aplikantë, por në tërësi numri i aplikantëve është 11,923”, tregoi Murati.
Por, sipas deputetët së PDK-së, për këtë kohë janë lëshuar mbi 220 mijë polica, ndërsa janë paguar vetëm 8 për qind e tyre.
“E tha që e keni bërë aplikimin online për t’i shmangur pritjet. Qytetarët kanë pritur në radhë për të bërë pagesa, pastaj i keni detyruar që të vijnë t’i bëjnë pagesat në Prishtinë, të cilët mërgimtarët janë maltretuar”, theksoi ajo.
“Për periudhën e cekur janë lëshuar gjithsej 222,274 polica, ku të hyrat pa TVSH kanë qenë 3 milionë e 533 mijë e 782 euro. Ju sapo raportuat se kanë aplikuar 8,845 persona, a do të thotë kjo se i keni mashtruar mërgimtarët”, përfundoi Musliu.
Në fund, Murati tha se aplikimi nga mërgimtarët ka qenë na baza vullnetare.
“Sa i përket shifrave të aplikantëve, ka qenë vullnetare, sepse edhe për dy vitet e kaluara ka qenë opsionale. Evitimi i kolonave është duhet të bëhet online. Votat janë, pastaj është hipokrizi që të mos votohet”, shtoi ministri i Financave.