Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se nuk bënë ta quajmë këtë si regres kur e shohim që Kosova është në renditje më keq tani sesa në vitin 2020.
Renditja e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit nga Projekti i Drejtësisë Botërore (WJP), dhe në vendin e dytë në botë ka nxitur përplasjen e opozitës me Qeverinë në Kuvendin e Kosovës.
“Po i referohem raportit të fundit të ËJP që Kosovën e ka renditur në vendin e dytë sa i përket perceptimit të sundimit të ligjit dhe të parët në Ballkanin Perëndimor në rangim të përgjithshëm. Do të donim të ishte kështu, por duhet të them që realiteti qëndron ndryshe. E vërteta është fatkeqësisht se Kosova sot është më keq në renditje prej kohës kur në pushtet ka ardh kjo Qeveri, e këtu nuk ka hapësirë as për krekosje e mburrje. Në vitin 2020 Kosova ishte ne vendin e 54, në vitin 2021 ishte në vendin e 60 e këtë vit në vendin e 57. Kjo nuk mund të paraqitet tashmë si sukses,. Duhet të punohet më shumë, e regresin mos te paraqesim si progres”, ka thënë Deliu-Kodra.
Pas kësaj ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Haxhiu ka thënë se prej momentit kur Qeveria Kurti është në qeverisje kemi pasur vlerësime pozitive nga organizata kredibile.
“Natyrisht që ka edhe shumë punë për të bërë, ne nuk po themi që i kemi përfunduar të gjitha… Nuk janë të sakta qëndrimet e deputetes është për faktin se në vitin 2020 kanë qenë 128 vende që janë vlerësuar e këtë vit 140 vende. Kur shtohet numri i vendeve që vlerësohen andaj ndryshon rangimi”, tha Haxhiu, derisa i bëri thirrje opozitës dhe shoqërisë civile që të mirëpresin këto vlerësime se këto po i bëhen shtetit të Kosovës.
E me kaq nuk përfundoj debati mes pozitës e opozitës. Sërish replikoi deputetja Blerta Deliu-Kodra.
“ Po i referohem statistikave dhe po e them hapur se edhe opozita do ti gëzohej progresit në sundim të ligjit. Nuk mund të quhet progres kjo kur në vitin 2020 ishim në vendin e 54 e sivjet jemi në vendin e 57 zonja ministre”, tha deputetja e PDK-së.
Kundërpërgjigje pati sërish nga ministrja Haxhiu.
“Sa i përket këtyre raporteve që po i vlerësoni ju sugjeroj ta bëni një komision që ti vlerësoni gjitha këto dhe ta bëni një analizë të detajuar se cili raport ka qenë më i drejtë e cili jo. Në raportin për vendin për herë të parë nuk përmenden ndërhyrjet politike në sektorin e drejtësisë. Gjeni vetëm një fjali të vetme ku përmenden ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë dhe unë jam e gatshme që të jap dorëheqje. Aty përmenden interferime, po jo politike, sepse nuk ka ministria, kryeministër e deputet që e thërret gjyqtarin në telefon qysh me zgjedh një lëndë”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se “në vend që të vononi reformat që kemi nisur unë ju bëjë thirrje që të na bashkoheni dhe ti përfundojmë sa më shpejt këto reforma”.
Në përplasje u përfshi edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila i tha ministres Haxhiu që nuk është në pozitë që të këshilloj opozitën.
“Nuk jeni në pozitë me na këshillua neve për me ba komisione. Nëse në raporte nuk shkruajnë për ndërhyrje në gjyqësor rezultat është më shumë i opozitës sesa pozitës, sepse nuk ka deputet e as partiak që shkruan raporte kundër qeverisë qysh keni shkruar ju. Ata shkruajnë çka dëgjojnë, puno e mos na këshillo, s’kemi nevojë për mësuese. Opozita në Kosovë është përmbajtjesore, nuk është intrigante e nuk shkojmë me raportua e me qajt nëpër zyra të ambasadave e të Komisionit Evropian siç keni bërë ju”, tha Musliu.
E sërish reagoi ministrja Albulena Haxhiu.
“Organizatat vendore dhe ndërkombëtare nuk bëjnë raporte me të nime Gane. Me bindje të plotë e them ky Kuvend s’ka pas asnjëherë opozitë më të fuqishme se LVV e asnjëherë qeveri më të mirë se LVV”, tha Haxhiu.
Në fund të kësaj përplasje për të qetësuar situatën u kujdes kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“Pse nuk po i ndani meritat. Albulenë nuk bënë kështu e monopolizove edhe në opozitë edhe në qeveri më të mirët, ngadalë se mundet mësyshi tani nuk banë kështu”, tha Konjufca ku pasuan disa të qeshura në Kuvend.