Ngjarja në të cilën u përfshi numri dy i Qeverisë së Kosovës mbase u tejkalua kaq shpejt edhe për shkak të zhvillimeve dinamike e që ndërlidhen me çështjen e targave dhe kërkesave të njëpasnjëshme nga Washingtoni për Kurtin.
Gjithë ajo çfarë ndodhi dje pasdite u tejkalua sot me një përgjigje “shabllon” të zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se palët duhet të respektojnë marrëveshjen për vizitat zyrtare.
Njeriu i dytë për nga rëndësia në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi, të enjten në mbrëmje pas disa orëve rrugë, rreth 100 kilometra para arritjes në Beograd si destinacion final është kthyer prapa për në Kosovë nga policia serbe.
Ky kthim prapa i Bislimit që u bë kinse atij nuk mund t’i garantohej siguria në kryeqytetin serbe, në Kosovë dhe nga analistë ndërkombëtarë u cilësua edhe si “poshtërim”, ka kapërcyer pa ndonjë reagim serioz të ndërkombëtarëve.
Deri para mbledhjes së qeverisë që është caktuar të mbahet sot në orën 16:00 s’ka reaguar madje as Kryeministri Kurti e as Presidentja e Kosovës.
Megjithatë pa reaguar lidhur me këtë ngjarje s’ka qëndruar profesori amerikan Edward P. Joseph i cili gjithçka ka ndodhur dje e ka ndërlidhur me raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe punën e targave.
Joseph ka shkruar se Vuçiq e ka poshtëruar në mënyrë të qëllimshme zv.kryeministrin Besnik Bislimi për ta futur në një “kurth” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për çështjen e targave.
Profesori amerikan ka potencuar se tashmë cilido veprim i Kurtit do të jetë një ‘fitore’ për Vuçiqin.
Vizita e zv.kryeministrit Besnik Bislimi për në Serbi kishte ardhur pak ditë pas deklaratës së tij se Aleksander Vuçiq në takime private në Bruksel e pranon që duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës por se për një gjë të tillë duhet ta përgatit terrenin në Serbi.
Kjo deklaratë e tij kishte nxitur mjaft reagime të ashpra në Beograd. Kreu i të ashtuquajturës “zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic e kishte quajtur një “trillim” dhe kishte thënë e Bislimi më mirë do të ishte të merrej me implementimin e Asociacionit.