Me këtë rast, nga ky aksion, në një lokal afarist njësitet kanë konfiskuar si mallra të kontrabanduara 93 kartela grafike, tetë pajisje Antiminer, 17 pllaka elektronike që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave si dhe 280 litra pije alkoolike e 96 litra pije joalkoolike.
Njësitet kundër kontrabandës nga Dogana e Kosovës dhe Njësitet relevante nga Policia e Kosovës, këtë të shtunë kanë zhvilluar aksion të përbashkët në Leshak të Leposaviqit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook.
Ai ka thënë gjithashtu se gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti, është hasur edhe një automjet i dyshuar të cilit i janë konfiskuar produkte ushqimore që po i kontrabandonte nga Serbia.
“Falënderoj Doganën dhe Policinë e Kosovës për suksesin e sotëm por edhe për vendosmërinë e tyre për të luftuar çdo fenomen që cenon rendin dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.