Sipas Policisë, zbatimi i këtij plani është shtrirë në tërë territorin e vendit dhe në zbatim të tij janë përfshirë njësi të ndryshme policore, prokuroria dhe Qendra për Punë Sociale.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNj), ka hartuar dhe zbatuar një plan operativ me qëllim të identifikimit të fëmijëve lëmosh-kërkues si viktima të mundshme të trafikimit.
“Gjatë realizimit të këtij plani (24 deri më 28 tetor 2022), janë identifikuar 33 fëmijë lëmosh- kërkues (21 shtetas të Kosovës dhe 12 shtetas të Shqipërisë), po ashtu janë identifikuar edhe 27 lëmoshë kërkues të rritur (16 shtetas të Kosovës dhe 11 shtetas të Shqipërisë). Numri i përgjithshëm i lëmosh-kërkuesve ka qenë 60 lëmoshë kërkues. Të gjithë fëmijët lëmosh-kërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjaret e tyre dhe të pajisur me dokumente. Në prani të punëtorit social, të gjithë fëmijëve u është plotësuar formulari me shënime dhe janë marre në pyetje familjaret e tyre me qëllim të identifikimit të viktimave potenciale të trafikimit me njerëz. Policia ka iniciuar 18 rate penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ ndaj 22 të dyshuarve”, thuhet në njoftim.