“Qeveria aktuale pasi ka kapur çdo institucion publik duke emëruar e punësuar familjarët e tyre dhe zyrtarët partiakë në pozita drejtuese dhe në borde të institucioneve publike, tani ka nisur përpjekjet kundër kushtetuese në administratën publike. Kjo qeveri këto ditë ka prezantuar Projektligjin për Zyrtarët Publik të Kosovës, i cili paraqet synimin e qartë të partisë në pushtet për të politizuar administratën publike të shtetit dhe për ta kthyer atë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, ka mbajtur sot konferencë për media, ku ka thënë se Qeveria ka nisë “përpjekjet kundërkushtetuese” që ta kapë Administratën Publike.
Ai tha se Qeveria ka “paraparë” që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të i ndërprehen kontratat e punës që janë fituar sipas “akt emërimeve të mëhershme”.
“Qeveria ka paraparë që pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, të ju ndërpres kontratat e punës që kanë fituar sipas akt emërimeve të përhershme, të gjithë zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratën publike, të shpallë konkurse të reja për të gjitha këto pozita, dhe këto pozita të jenë me mandat 4 vjeçar. Këtu bëhet fjalë për mijëra zyrtarë që aktualisht mbajnë këto pozita. Me këtë rast, mijëra familje do të mbesin pa të ardhurat e tyre. Pra, për pozitat e të gjithë këtyre zyrtarëve do të shpallen konkurse të reja dhe atyre do të ju pushoj marrëdhënia e punës që kanë tani, për tu zëvendësuar me militantë partiak.”, tha ai.
Gruda i PDK-së i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që para se ta miratojë këtë projektligj, t’i largojë dispozitat kundërkushtetuese që shkelin detyrimet e Kosovës karshi BE-së të marra përmes MSA-së.
“Po ashtu, i bëjmë thirrje Zyrës së BE- në Kosovës që të kundërshtoj me gjithë forcën e saj këtë nismë të qeverisë për të shkatërruar administratën e shtetit. PDK nuk do të lë mjet dhe rrugë demokratike pa përdorur për t’i mbrojtur shërbyesit civilë nga ky arbitraritet brutal dhe se nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që rruga evropiane e Kosovës të pengohet nga mungesa e profesionalizmit, qëllimet jo të mira dhe synimet e qarta të kësaj qeverie për të vënë administratën e shtetit në shërbim të partisë në pushtet”, tha Gruda.
“Cenimi i pozitave të tilla bie ndesh me zotimet që Kosova ka marrë me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim të lidhur me Bashkimin Evropian. Për saktësi, neni 120 i saj, përcakton mes tjerash, se Kosova merr përsipër “[…] zhvillimin e mëtutjeshëm të një administrate publike profesionale, efikase dhe të përgjegjshme në Kosovë, bazuar në përpjekjet e deritanishme të ndërmarra për reformat në këtë fushë […]”. Vetë BE dhe SIGMA si organ i specializuar në çështjet e administratës publike brenda BE-së, kanë vënë në dukje se projektligji në formën si është prezantuar i shërben vetëm politizimit të administratës dhe korruptimit të saj për shkak të mungesës së integritetit menaxherial me mandat”, tha Gruda.