Reagon ish-ministrja: SHBA sapo lëshoi një deklaratë shqetësuese për Kosovën

Ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj, thotë se Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një konference direkte nga Washingtoni të zëdhënësit Ned Price, posa lëshoi edhe një deklaratë shqetësuese rreth vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për targat.

‘Ne kërkojmë shtyrje të plotë të vendimit për targat. Ne nuk kërkojmë shtyrje të pjesshme. Nuk na duhet implementimi me faza”, citoi ajo zëdhënësin Price.

Sipas saj, për shkak të luftës në Ukrainë, dhe afërsisë së Serbisë me Rusinë, shihet qartë që Perëndimi dëshiron ta mbajë sa më afër vetes Serbinë, duke mbyllur sytë përpara shkeljeve të vazhdueshme që bëjnë.

“Në reagim eklipsohet totalisht sjellja e Serbisë ndaj ZvKM Bislimi (shkelje flagrante e marrëveshjes për shkëmbimin e vizitave), si dhe instrumentalizimi i vazhdueshëm që Serbia ua bën serbëve të Kosovës duke i nxitur për dhunë, tensione, e mospërfillje ndaj organeve të rendit e sigurisë së Kosovës”, shkroi ajo në Facebook.

“Presionin asimetrik ndërkombëtar ndaj saj, Kosova mund t’a përballojë e tejkalojë vetëm me unitet politik përballë Serbisë, me qëndrime të përbashkëta e të fuqishme, e koordinim ndërpartiak. Çdo kalkulim për vota përmes temës së dialogut me Serbinë, po bëhet në kurriz të Kosovës. Koha t‘i themi mjaft më kësaj praktike të dëmshme. Këtë e don populli”, përfundoi ish-ministrja e Punëve të Jashtme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.