Në fakt ky buxhet është më i larti në historinë 22 vjeçare të Kosovës, por ekonomistët e shohin më shumë si buxhet kuantitativ e jo kualitativ.
Qeveria e Kosovës e ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2023, që do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro. Ky buxhet për Albin Kurtin është ”sukses qeveritar“.
Bazohen te normat e lartë e inflacionit që sipas Bankës Botërore gjatë vitit 2022 ka qenë mbi 19 për qind.
Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike, ka thënë se ky buxhet nuk duhet të jetë arsyeje për eufori politike.
”Ky projektbuxhet është shumë më tepër produkt i krizës dhe inflacionit sesa i performancës qoftë të doganës apo të ATK-së“, ka thënë Gërxhaliu për Gazetën Express.
Ai thotë se duhet të investohet më shumë në arsim, shëndetësi dhe siguri, por brengë e ka sektorin privat.
”Kosovës i duhet rritje substanciale dhe kjo arrihet përmes sektorit privat”, ka thënë ish-kryetari i Odës Ekonomike.
Por financieri që e drejton Institutin KAF, Bujar Krasniqi, ka thënë se më shumë sesa është i lartë buxheti ka rëndësi ku do të shpërndahet buxheti.
Thotë se institucionet nuk janë për të shpërndarë para kesh (cash), nëpër biznese, por të ofrojnë kushte dhe mundësi për bizneset.
“Duhet të dyfishohen investimet në arsim, pore dhe në shëndetësi. E për bizneset e vogla duhet të krijohen kushte”.
Krasniqi ka treguar sesa e dëmshme është që bizneseve të vogla t’iu jepet para kesh nga shteti.
“Sa biznesi është hapur me ndihmën e institucioneve dhe brenda pak kohe kanë falimentuar”, ka thënë ai për Gazetën Express.
Problemin më shpërndarjen e mjeteve buxhetore ka problem edhe profesori i Ekonomisë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Mejdi Bektashi.
Ai ka thënë se me ndarje sektoriale është e vështirë që të arrihet komponenta zhvillimore.
Qeveria e Kosovës ka parashikuar rritjen 5.5 për qind të zhvillimit ekonomik për vitin e ardhshëm. Por Bektashi mendon se kjo nuk do të realizohet për shkak të investimeve të pakta kapitale.
“Me këtë shpërndarje sektoriale që ku do të ndahen këto 3.2 miliardë euro nuk mund të realizohet rritja ekonomike 5.5 për qind , pasi pjesa më e madhe do të shkojnë në çështje sociale, por nuk jepet detaje për projekte kapitale”, ka thënë ai.
Sipas Bektashit mungesa e investimeve kapitale gjatë vitit 2022 e ka reflektuar edhe mos-realizueshmërinë e rritjes ekonomike të parashikuar për vitin 2022.
Banka Botërore në projeksionin e saj vjetor ka treguar se Kosova do të ketë ngecje të rritjes ekonomike për 3.1 për qind.
Sipas profesorit të ekonomisë kjo do ta vazhdojë edhe në vitin 2023, meqë buxheti është orientuar kah politikat sociale.
Po ashtu suficiti buxhetor për vitin 2022 pritet të jetë mbi 600 milionë euro.
“Këto mjete në mënyrë automatike barten në buxhetin e vitit 2023“, ka treguar profesori.
Rreth buxhetit
Më 29 tetor, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti e ka prezantuar projektbuxhetin mbi 3 miliardë euro.
Më pas vazhdojë krenaria se është buxheti më i lartë në histori të Kosovës.
Por opozita e akuzonte Qeverinë se ”po manipulon me shifra“, besonin se inflacioni e ka rrjedhur këtë buxhet.
Atë ditë kur u votua në Qeveri projektligji, kryeministri Kurti nënvizoi rritjen e buxhetit për mbrojtjen dhe shëndetësinë.
Kurti tha se të hyrat e shtetit për vitin 2022 do të jenë 2 miliardë e 884 milionë euro, pjesa tjetër e arkës së shtetit mbushet nga format alternative.
Në buxhetin e vitit të ardhshëm 745 milionë euro do të shkojnë për paga dhe meditje, 493 milionë euro për për mallra dhe shërbime, ndërkaq 1 miliard e 98 milionë euro për subvencionime. Ndërsa për investime kapitale do të rezervohen 811 milionë euro.
Buxheti dhe ekonomia
Qeveria e Kosovës parashikon rritje ekonomike mbi 5 për qind për vitin e ardhshëm.
E një nga mënyrat për ta arritur atë është edhe disejnimi i buxhetit.
Zhvillimi ekonomik më së shumti nga sektori privat e sidomos nga eksportet, por edhe nga qarkullimi biznesor.
Kosova kishte shënuar rritje ekonomike dyshifrore në vitin 2021, por ishte metodologji krahasuese me vitin paraprak kur 1/3 e vitit ishte tërësisht bllokadë për shkak të shpërthimit të pandemisë COVID-19.