Lumir Abdixhiku merr ftesë që të shkojë në ShBA

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtij muaji.

Merret vesh se vizita e Lumir Abdixhikut pritet të bëhet në gjysmë të nëntorit.

Ndërkaq, siç i kanë thënë gazetës burime nga LDK-ja, kryetari i partisë “është ftuar” dhe do të bëjë vizitë zyrtare.

Pritet poashtu që ai të realizojë “takime të rëndësishme”, por nuk bëhet e ditur se kush do ta presë kreun e LDK-së në SHBA.

Abdixhiku ishte prej të parëve që reagoi ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi nga Departamenti Amerikan i Shtetit u deklaruan “të zhgënjyer” që Kryeministri Albin Kurti nuk i dëgjoi për shtyrjen e afatit të caktuar për heqjen nga përdorimi i targave ilegale të lëshuara nga Serbia.

“Në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë, SHBA-në dhe BE-në. Institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë”, ka thënë javën e kaluar Abdixhiku.

Sipas tij, “sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të partnerëve, dëmton interesat strategjike të vendit dhe mund të prodhojë pasoja afatgjata në rrugëtimin politik”.

“Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fondamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për vendin tonë si dhe për të ndjekur synimet tona strategjike”, ka thënë Abdixhiku në Dragash.

Leave a Reply

Your email address will not be published.