Për nxjerrjen e provave do të diskutohet në konferencën e radhës ndaj Thaçit e tjerëve

Vendimi thotë se sa i përket nxjerrjes së provave, do të kërkohet të dihet nëse është bërë progres në procesin e zbulimit në lidhje me materialin e Rregullës 107, në veçanti, sa nga ky material mbetet për t’u pastruar dhe nëse ndonjë aplikim shtesë në përputhje me këtë rregull është i pashmangshëm.

Lidhur me përkthimet, gjykatësi paraprak ka kërkuar të informohet nëse administrata mund të sigurojë një përditësim për përkthimet e pazgjidhura, në veçanti përparimin e përkthimit të aktakuzës së ndryshuar më tej dhe grafikut të Rregullës 109 (c) dhe plotësimit të tij.

Më 4 nëntor do të mbahet konferenca e 15-të mbi ecurinë në çështjen, ku për krime lufte, po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në bazë të vendimit të gjyqtarit paraprak mbi caktimin e kësaj konference, thuhet se në të do të diskutohet për nxjerrjen e provave, përkthimet, hetimet e mbrojtjes dhe hapat e mëtutjeshëm dhe çështje të tjera.

Kurse, sa i përket hetimeve të mbrojtjes dhe hapave të mëtejshëm, do të kërkohet të dihet nëse mbrojtja mund të japë më shumë informacion mbi statusin e hetimeve të tyre, veçanërisht çfarë hapash kanë ndërmarrë për të çuar përpara hetimet e tyre.

“b. Nëse ka pasur ndonjë përparim në lidhje me diskutimet mbi pikat e marrëveshjes mbi ligjin dhe/ose faktet, në përputhje me Rregullat 95 (3) dhe 156 të Rregullave, dhe nëse palët parashikojnë ndonjë vështirësi në paraqitjen e njoftimeve deri më 18 nëntor 2022; dhe c. Nëse mbrojtja parashikon ndonjë vështirësi në paraqitjen e njoftimeve në lidhje me kundërshtimet e tyre, nëse ka në këtë fazë të procedurës, për pranueshmërinë e materialit provues të zbuluar, në përputhje me rregullën 95 (2) (e) të Rregullave, deri më 18 nëntor 2022”, thuhet tutje në vendim.

Tutje, do të kërkohet të dihet nëse ZPS parashikon ndonjë vështirësi në sigurimin e listës së 40 dëshmitarëve të parë që synon të thërrasë në gjyq deri më 18 nëntor 2022.

“ b. Lidhur me rregullat 153, 154 dhe 155 të Rregullores, vihet re se ka dëshmitarë që kanë dhënë disa deklarata dëshmitarësh; a do të ishte ZPS në gjendje të tregojë (nëpërmjet ERN-së së dokumentit) se cilën deklaratë (at) synon të ofrojë për pranim sipas këtyre rregullave; dhe c. Nëse palët parashikojnë ndonjë vështirësi në transferimin e kësaj çështjeje në një trup gjykues rreth fundit të vitit dhe nëse palët parashikojnë ndonjë vështirësi për t’u paraqitur para një trupi gjykues menjëherë pas dorëzimit të çështjes”, është përcaktuar tutje në këtë vendim.

Së fundi, thuhet se palët dhe pjesëmarrësit ftohen të tregojnë nëse parashikojnë nevojën për një konferencë në dhjetor përpara transferimit të çështjes në një trup gjykues.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se  përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.

Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.

“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit;  Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9:  vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit;  Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.

Ndryshe, gjykatësi paraprak, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime ndaj të paktën një viktime në Komunën e Ferizajt.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

 

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published.