Erzen Vala, dhëndri i gruas së moshuar, e cila u keqtrajtua nga një infermiere në një qendër për të moshuar në Pejë, ka thënë se rasti ka ndodhur para katër ditëve, dhe se familjarët nuk kanë mundur të kuptojnë nga ajo se ka qenë e keqtrajtuar, sepse sipas tij, gruaja vuan nga sëmundja e alzheimerit, sëmundje kjo që shkakton harresë.
Ai thotë se viktima ka familjarë, por që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të jenë bashkë me të.
“Viktima e ka djalin në Belgjikë, një tjetër djalë e ka të vrarë dhe e ka vajzën që është bashkëshortja ime. Nuk e kemi dërguar me dëshirë por për shkak të rrethanave jetësore për një kujdes më të mirë”.
Ai tha se deri në publikimin e kësaj video nuk kanë pasur ankesa.
“Nuk kemi ndonjë vërejtje, e kemi vizituar dy-tri herë në javë prej vajzës dhe farefisit, nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Që një vit është aty. Zonja vuan nga alzhemieri dhe nuk kemi mund të hetojmë diçka”, ka thënë ai.
“Do të shohim si do të veprojmë. Inspektorët e shëndetësisë tashmë janë duke inspektuar institucionin në fjalë”, tha tutje dhëndëri.