Nga Bashkimi Evropian u theksua përmbushja e kritereve për heqjen e regjimit të vizave, ndërsa nga Qeveria e Kosovës thanë se kushtëzimi i liberalizimit të vizave me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS është i padrejtë, jo-fer dhe paarsyeshëm.
Të enjten ka nisur takimi i nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë. Në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, u diskutua për progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.
Deputeti i Parlamentit Evropian dhe bashkëkryesuesi i komisionit Parlamentar për StabilizimAsociim BE-Kosovë, Romeo Franz, tha se Kosova meriton liberalizimin e vizave. Ai theksoi se dialogu Kosovë-Serbi duhet të ketë njohjen reciproke.
“Kosova ka përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se propozimi për liberalizim të vizave është ende në Këshill dhe duhet të trajtohet si çështje urgjente. Nevoja për liberalizim të vizave ka qenë një pozicion shumë i fuqishëm i Parlamentit Evropian i shprehur në rezolutat tona, por edhe takime tona në shumë situata. Kosova meriton liberalizimin e vizave, jemi të bindur se qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin e vizave… Po ashtu, inkurajojmë vazhdimin e dialogut të fasilituar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit me një njohje të ndërsjellët, si një marrëveshje themelore dhe gjithëpërfshirëse”, tha ai.
Ndërsa, bashkëkryesuesja tjetër e komisionit, deputetja Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova ka shënuar progres përkundër sfidave që ka pasur.
“Kosova ka shënuar progres përkundër sfidave që kemi pasur. Kosova sot rangohet më mirë sipas indeksit të Transparency International dhe është kampione sa i përket reformave në sundimin e ligjit. Parlamenti i Kosovës ka pasur një progres duke miratuar 84 ligje, nga të cilat 18 marrëveshje ndërkombëtare”, tha Kusari-Lila.
Nga ana tjetër, ligjvënësve iu drejtua edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se marrëveshjet me Bashkimin Evropian janë shumë të rëndësishme për Kosovën.
“Këto marrëveshje me Bashkimin Evropian janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe konfirmojnë orientimin e palëkundur të Kosovës që të bashkëpunojë sa më thellë me BE-në drejt fazave të ardhshme deri në stacionin e fundit që është a anëtarësimi jonë i plotë në këtë institucion të vlerave të drejtave të njeriut, demokracisë që është Bashkimi Evropian”, tha ai.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, foli ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili adresoi kritika karshi BE-së për liberalizimin e vizave.
“Aplikacioni ka për synim që të jetë lart në agjendë, sepse Kosova për një kohë të gjatë është lënë prapa në procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, po ashtu është injoruar në procese që ka kaluar rajoni, përkundër që ka popullin më pro-evropiane. Procesi i liberalizimit të vizave ka përfunduar te të gjitha pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe tash jemi vendi i vetëm që i nënshtrohemi regjimit të vizave. Përpjekjet për të lidhur këtë proces me ETIAS janë të padrejta, jofer dhe të paarsyeshme”, theksoi Krasniqi.
Ndërkaq, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, përsëriti se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave derisa pati edhe një porosi për dialogun Kosovë-Serbi.
“Sa më shumë që Kosova përmbushë MSA-në, aq më pranë do të jetë Bashkimit Evropian. Ky takim i sotëm është mundësi për të vlerësuar punën që është bërë në suaza të kësaj marrëveshjeje… Ne inkurajomë Kosovën dhe Serbinë që të jenë konstruktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të çojnë atë përpara pa vonesë. Është me rëndësi që të përmbushen dhe zbatohen të gjitha obligimet e mbetura nga marrëveshjet e kaluara. Sa i përket liberalizmit, ne e dimë se qëndrimi i Komisionit Evropian nuk ka ndryshuar – Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Jam i lumtur se pas votës në dobi të kësaj, kjo çështje është trajtuar në mënyrë aktive gjatë Presidencës Çeke”, tha ai.
Takimi i nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë do të vazhdojë nesër.