Sipas njoftimit, suspendimi i Gjuriqit u bë për shkak të “mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatimit të vendimeve zyrtare”.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka suspenduar nga detyra drejtorin rajonal të policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave.
Suspendimin e Gjuriqit e rekomandoi më herët gjatë 3 nëntori Inspektorati Policor i Kosovës, i cili tha se Gjuriq dyshohet për veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrje për rezistencë”.
Menjëherë, pas këtij vendimi ka reaguar kryetari i Listës Serbe dhe ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, i cili ka thirrur një takim të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës në veri të Kosovës.
Ndërsa, drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media se Gjuriq u suspendua për shkak se “ai qëndroi në mbrojtje të popullit serb”.
“Ata nuk duan të marrin pjesë në persekutimin e popullit serb, sepse nuk është ky qëllimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ku është gabimi kur Gjuriqi tha se nuk do të marrë pjesë në vendimet e [kryeministri i Kosovës,] Albin Kurtit, të cilat janë politike”, tha Petkoviq.
Petkoviq shtoi se për çështjen e suspendimit të drejtorit të policisë në veri ka biseduar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilit, siç tha, i ka treguar se Kurti “nuk ka të drejtë të zëvendësojë” drejtorin e policisë për rajonin e veriut.
Sipas njoftimit të Listës Serbe, Rakiq, në takimin e së shtunës do t’u propozojë serbëve të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, duke filluar nga ai personalisht dhe duke përfunduar me serbët nga vetëqeverisja lokale, prokurori, gjykata, policia dhe të gjitha institucionet e tjera, transmeton Telegrafi.
Kreu i Listës Serbe e thirri mbledhjen si reagim ndaj vendimit për suspendimin e drejtorin rajonal të policisë në Mitrovicë të Veriut për shkak se refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket targave ilegale.
“Duke marrë parasysh të gjitha presionet ndaj të cilave është i ekspozuar populli ynë dhe të gjithë serbët krenarë që nuk pranojnë të jenë dekori i Prishtinës, ne duhet të forcojmë dhe ndërtojmë institucionet serbe në këto zona në bashkëpunim me vendin tonë, Serbinë”, tha Rakiq, njofton Lista Serbe.
Ai ka theksuar se Gjuriq është zgjedhur në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale Veri nga serbët dhe katër kryetarë komunash nga veriu dhe se Prishtina nuk ka të drejtë të ndërmarrë asnjë sanksion ndaj tij.
“Të gjithë ne iu bashkuam institucioneve të Kosovës, sepse ishte pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Duke pasur parasysh se Prishtina nuk e respekton atë që është nënshkruar, është e qartë se ne nuk kemi çfarë të kërkojmë nga ato institucione, sepse është e qartë se Prishtina shkel çdo marrëveshje të nënshkruar pa asnjë pasojë”, tha Rakiq.