“Opsionet, modelet, idetë që po prezantohen kohëve të fundit padyshim që janë avancim meqenëse bëhet fjalë për koncepte e nocione universale. Besoj që kjo është shumë e mirë për marrëveshjen e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë që për bindjen tonë duhet të jetë finale, normalizim të plotë, ligjërisht e obligueshme dhe ta ketë njohjen reciproke në qendër”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili po merr pjesë në Samitin e Berlinit në një deklaratë për mediat atje ka thënë se opsionet që po prezantohen kohëve të fundit për dialogun Kosovë-Serbi, padyshim që janë avancim.
Ai ka shtuar se Kosovës dhe Serbisë nuk i duhen zgjidhje super të veçanta të problemeve por një marrëveshje me kornizë të përgjithshme që bazohet në vlerat evropiane.
“Është herët të themi tani se çfarë do të përmbajë ajo në fund. Ka një lëvizje të duhur nga të ashtuquajturat marrëveshje për zgjidhje të problemeve të posaçme që shndërrohen në solucione ‘sui generis’ me hollësi të panumërta, që i nënshtrohen interpretimeve të panumërta e shpesh herë edhe moskuptimeve e keqinterpretimeve, tek një marrëveshje që është e bazuar te vlerat evropiane. Për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk na duhen zgjidhje super të veçanta të problemeve, por na nevojitej një marrëveshje me kornizë të përgjithshme që bazohet në vlerat evropiane”, u shpreh Kurti.
Kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë asnjë marrëveshje që cenon integritetin, sovranitetin dhe pavarësinë e vendit.
Kurti tha se ai është i gatshëm të merr pjesë në takime për dialogun, sa herë që merr ftesë nga Brukseli.
Kryeministri gjithashtu tregoi se ndërmjetësuesit kanë kërkuar që të ruhet konfidencialiteti sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
“Së pari, jemi në rrugën e duhur për ta diskutuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes. Deri më tani është diskutuar për hapa të vegjël, ndërsa momenti i ndryshimit ka ndodhur në Bruksel në takimin e 18 gushtit. Në kuadër të kornizës së përgjithshme të dialogut vijnë propozime dhe ide, dhe unë natyrisht se për të gjitha këto propozime të bazuara në vlera demokratike, shprehu angazhimin tim konkret. Kjo tregon se jemi në shtegun e duhur, mirëpo ka shumë punë që të flitet për ndonjë farë përmbajtje përfundimtare. Është ende herët. Nuk mund ta sabotojmë procesin me hollësi të bisedimeve. Është princip i ndërmjetësit konfidencialiteti i bisedimeve”, tha Kurti.
Duke folur për Samitin e Berlinit, Kurti tha se “Procesi i Berlinit është mekanizimi i vetëm i vërtetë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.