Kjo bastisje është udhëhequr nga prokuroria speciale. Shtëpia e ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti, është bastisur në mëngjesin e sotëm nga Policia e Kosovës.
Para disa ditëve Kallxo publikuar një hulumtim dyvjeçar që ka zbardhur një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.
Incizimet pasqyrojnë përfshirjen e ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti në një aferë korruptive. Të gjitha incizimet janë bërë në vende publike dhe përbëjnë çështje të interesit të lartë publike.
Dërguti më pas ka pretenduar se incizimet e publikuara janë marrë në mënyrë të paautorizuar.
Ish-kryeprokurori thotë se do të ofrojë gatishmërinë e tij të plotë për bashkëpunim me të gjitha organet kompetente për të sqaruar çdo sekuencë lidhur me këto publikime.
Për dy ditë radhazi janë shfaqur pjesë të hulumtimit të një rasti të dyshuar të korrupsionit, në të cilin pretendohet se u përfshinë njerëz të sistemit të drejtësisë, të politikës dhe biznesmenë.
Ndërkaq, biznesmeni Sali Dakaj po pretendon se përmes dy personave ia ka dhënë 150 mijë euro ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërgutit, për të ndikuar që një lëndë gjyqësore për një borxh në vlerë 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.