Shefi i misionit të FMN-së për Kosovë, Gabriel Di Bella, në një konferencë për media të premten, ka thënë se pagat duhet të rriten dhe sipas tij, kjo duhet të ndodhë në mënyrë të matur dhe në përputhje me Ligjin për Pagat.
“Kjo do të ketë implikime të shpenzimeve buxhetore, kështu që ne dëshirojmë që të ketë një balancim të duhur në mes të shpenzimeve kapitale dhe asaj rrjedhëse. Kosovës i duhen shpenzimet në infrastrukturë, shëndetësi, por edhe arsim. Kështu që është me rëndësi, po, të rriten pagat, duhet të rriten, por të bëhet kjo në mënyrë të matur në përputhje me ligjin dhe që të ketë një balancim. Çdo rritje e pagave në sektorin publik duhet pasur parasysh edhe sektorin privat. Sepse aftësia konkurruese në sektorin privat do të ndikohet negativisht”, është shprehur Di Bella.
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës rritjen e pagave për sektorin publik.
Në një konferencë të përbashkët me misionin e FMN-së, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria shumë shpejt do ta procedojë në Kuvend Projektligjin për pagat, i cili aktualisht është si draft në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Kur të ketë një konsolidim të të gjithë atyre komenteve që janë pranuar gjatë konsultimeve publike, do të kemi edhe një vlerësim të ndikimit financiar nga ana e Ministrisë së Financave, do të procedohet në qeveri dhe kuvend shumë shpejt”, ka deklaruar Murati.