Kompania reklamuese “AMM” ka dalë fituese në procesin gjyqësor me Komunën e Prishtinës.
Kjo kompani e kishte paditur Komunën e Prishtinës në kohën kur drejtohej nga Shpend Ahmeti dhe Lëvizja Vetëvendosje për shkak të mospërmbushjes se kontratës për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese, shkruan Scanner.
Pas një beteje të gjatë ligjore kompania “AMM” ka arritur ta fitojë kontestin gjyqësor, ku Komuna e Prishtinës obligohet ta përmbush detyrimin në vlerë prej 2 milionë e 226 mijë e 271 euro e 30 cent së bashku me kamatën ligjore.
Gazeta Scanner ka siguruar urdhëresën përmbarimore të cilën kompania AMM e ka dërguar në Ministrinë e Financave për ekzekutimin e mbi 2.26 milionë eurove.
Në lidhje me këtë çështje, Scanner i është drejtuar edhe Komunës së Prishtinës, e cila ka dhënë edhe sqarimet se si ka ndodhur ngjarja. Nga Zyra për Informim e Komunës së Prishtinës kanë bërë me dije se janë obliguar që ta zbatojnë Aktvendimin e Gjykatës.
“Andaj, me këto veprime Aktgjykimi i shkalles së parë ka marrë formën e prerë dhe paditësit ‘AMM’ i ka lindur e drejta për të filluar procedurën e përmbarimit dhe ekzekutimin e dhunshëm të shumave të mësipërme, andaj i është drejtuar organit përmbarimor, ndërsa Komuna e Prishtinës ka paraqitur Prapësim, i cili është refuzuar nga ana e Gjykatës Komerciale me Aktvendimin KPPP.nr. 853/22, të datës 20.09.2022, dhe afati për paraqitjen e ankesës është 7 ditë nga dita e pranimit, ndaj të cilit jemi në përpilim e sipër të ankesës. Pra, Gjykata ka refuzuar Prapësimin e debitorit Komuna e Prishtinës ashtu që mbetet në fuqi Urdhri Përmbarimor P.nr. 733/2020, i datës 21.10.2020, më të cilin Komuna e Prishtinës obligohet që të përmbushë detyrimin në vlerë prej 2,266,271.30 euro së bashku me kamatë ligjore”, është thënë në përgjigjën me shkrim të Komunës së Prishtinës dhënë Scanner-it.
Urdhëresa dërguar nga Përmbaruesi në emër të AMM në Thesarin e Shtetit – Ministrinë e Financave për ekzekutimin e mbi 2.26 milionë eurove
Sqarimi i plotë i Komunës së Prishtinës dhënë për gazetën Scanner në lidhje me ecurinë e procesit gjyqësor me kompaninë AMM:
Lënda është iniciuar me padinë e paditësit “AMM”, me date 29.12.2016 për kompensimin e dëmit material dhe fitimin e humbur, të shkaktuar nga pengesat për shfrytëzimin e lirshëm të stacioneve reklamuese sipas Kontratës Nr. 12/04, të datës 24.04.2013, me vlerë të kontestit në shumën prej 5,056,743.00 euro, si dhe kamatëvonesa në të gjitha shumat.
E paditura, Komuna e Prishtinës me datë 04.07.2017 ka paraqitur kundërpadi kundër paditësit “AMM” për kompensim dëmi, me vlerë të papërcaktuar, me arsyetimin se kontrata ka përfunduar me datë 31.12.2013 dhe se paditësi “AMM” edhe pas skadimit të kontratës ka vazhduar të shfrytëzoj edhe tri vite pa ndonjë bazë ligjore, dhe si rezultat i këtyre veprimeve Komuna e Prishtinës është dëmtuar.
Pas një sere seancash te mbajtura, ekspertiza dhe plotësim ekspertiza te konstatuara në proces, administrimit dhe dhënies së fjalës përfundimtare nga ndërgjyqësit, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Ekonomike ka marre vendimin IV.EK.C.nr. 629/16, të datës 01.03.2019, me te cilën ka vendosur:
- Miratohet pjesërisht kërkesëpadia e paditësit/kundër të paditurit “AMM”, shpk, ashtu që detyrohet i padituri/kundërpaditësi “Komuna e Prishtinës” që t’ia paguajë shumën prej 2,267.956.00 euro me kamate ligjore 8%, duke filluar nga 18.10.2017 në emër të dëmit material (fitimit të humbur) për shkak të mosdorëzimit të numrit të kontraktuar të stacioneve reklamuese, si dhe moslargimi i operatorëve ilegal në fushën e reklamimit të jashtëm në Prishtinë, sipas Kontratës Nr. 12/04, dt. 24.04.2013;
- Refuzohet pjesërisht kërkesëpadia e “AMM” me të cilën ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që e emër të demit material sipas Kontratës Nr. 12/04, te dates 24.04.2013, t’ia paguaje shumën prej 244,592.00 euro;
III. Miratohet pjesërisht kërkesëpadia e “AMM”, dhe detyrohet e paditura Komuna e Prishtinës që paditësit t’ia paguajë shumën prej 1,338.502.50 euro me kamatë ligjore prej 8%, të shkaktuar nga shkëputja e njëanshme e Kontratës Nr. 12/04, dt. 24.04.2013;
- Refuzohet pjesërisht kërkesëpadia e paditësit “AMM”, me të cilën ka kërkuar që Komuna t’ia paguajë shumën prej 484.548.00 euro në emër të kompensimit të dëmit të shkaktuar nga shkëputja e njëanshme e Kontratës;
- Miratohet pjesërisht kërkesëpadia e paditësit “AMM”, ashtu që detyrohet e paditura Komuna e Prishtinës t’ia paguajë paditësit shumën prej 298.545.00 euro, në emër të dëmit material (fitimit të humbur) të shkaktuar nga pengesat për shfrytëzimin e lirshëm të stacioneve reklamuese sipas Kontratës Nr. 12/04, dt. 18.10.2017;
- Refuzohet pjesërisht kërkesëpadia e paditësit “AMM” me te cilën ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që t’ia kompensojë shumën prej 1,422.600.53 euro, në emër të demit material të shkaktuar sipas Kontratës Nr. 12/04;
VII. Miratohet kërkesëpadia e paditësit “AMM”, ashtu qe detyrohet Komuna e Prishtinës që t’ia paguajë paditësit shumën prej 45,600.00 euro në emër të dëmit me rastin e largimit te dhunshëm/dëmtimit te stacioneve/hapësirave reklamuese;
VIII. Miratohet pjesërisht kundërpadia e Komuna e Prishtinës, ashtu që detyrohet “AMM” që në emër të shpenzimeve për taksen komunale t’i paguhet shuma prej 340,637.20 euro;
- Miratohet pjesërisht kundërpadia e Komunës, ashtu qe obligohet “AMM” t’ia paguaje Komunës shumën prej 45,150.00 euro në emër të shpenzimeve të largimit të 301 objekteve reklamuese;
- Refuzohen, kërkesa e “AMM” në shumën prej 2,000.000.00 euro si pasojë e pamundësisë se tenderimit të ri, ndërsa XI. Secila palë i bartë shpenzimet e veta procedurale.
Ndaj këtij vendimi, ka paraqitur ankesë edhe “AMM” edhe Komuna e Prishtinës, kurse Gjykata e Apelit me date 16.09.2020, ka nxjerrë Aktgjykim Ae.nr. 179/2019 me të cilën është:
- Aprovohet pjesërisht e bazuar ankesa e Komuna e Prishtinës vetëm sa i përket llogaritjes së kamatëvonesës, me ç’rast është ndryshuar pika V e vendimit të Gjykatës së shkallës së parë;
- Refuzohet tërësisht ankesa e “AMM”, ashtu që është vërtetuar Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në pikat I, II, III, IV, VI, VII, VIII, IX dhe X. si dhe ne piken III. Kompensohen kërkesat e ndërsjella të aprovuara si në aktgjykimin e shkalles se parë.
Andaj, me këto veprime Aktgjykimi i shkalles së parë ka marrë formën e prerë dhe paditësit “AMM” i ka lindur e drejta për të filluar procedurën e përmbarimit dhe ekzekutimin e dhunshëm të shumave të mësipërme, andaj i është drejtuar organit përmbarimor, ndërsa Komuna e Prishtinës ka paraqitur Prapësim, i cili është refuzuar nga ana e Gjykatës Komerciale me Aktvendimin KPPP.nr. 853/22, të datës 20.09.2022, dhe afati për paraqitjen e ankesës është 7 ditë nga dita e pranimit, ndaj të cilit jemi në përpilim e sipër të ankesës. Pra, Gjykata ka refuzuar Prapësimin e debitorit Komuna e Prishtinës ashtu që mbetet në fuqi Urdhri Përmbarimor P.nr. 733/2020, i datës 21.10.2020, më të cilin Komuna e Prishtinës obligohet që të përmbushë detyrimin në vlerë prej 2,266,271.30 euro së bashku me kamatë ligjore.
Kurse Komuna e Prishtinës, e ka shfrytëzuar te drejtën për paraqitjen e mjetit të jashtëzakonshëm, dhe brenda afatit te parapare ligjor ka paraqitur Revizion me datë 19.10.2020, ndaj të cilit Paditësi “AMM” ka paraqitur ;përgjigje ne Revizion, dhe jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Pra, veprimet aktive procedurale janë – ankesa ndaj Aktvendimit në procedurën përmbarimore, të cilin jemi duke e përgatitur, dhe Revizioni i Komunës së Prishtinës për Gjykatën Supreme të Kosovës, i cili është në trajtim nga Gjykata dhe deri në këtë kohe qe jemi duke komunikuar, nuk kemi pranuar ende vendim nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Konkludim: As ankesa ndaj Aktvendimit për refuzimin e prapësimit, e as Revizioni si mjet i jashtëzakonshëm nuk e ndalin ekzekutimin e urdhrit përmbarimor.