Nushi: Plani franko-gjerman është mbështjellës i Asociacionit

Sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate (PSD), Nol Nushi, ka deklaruar se plani franko-gjerman është mbështjellës i Asociacionit, dhe të gjitha veprimet e Qeverisë janë të kamuflojnë problemin kryesor të këtij plani, i cili sipas tij, është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Jemi në diskutime shumë serioze rreth fatit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe ne nuk dimë asgjë, i kemi disa ditë që po negociohet për planin franko-gjerman, askush nuk ka parë asgjë prej tij, edhe pse nuk dimë asnjë shkronjë prej tij”, ka thënë Nushi.

Nushi ka konstatuar se nëse plani franko-gjerman do të ishte i mirë për qytetarët, Qeveria do ta tregonte “me tupan”, por sipas tij, ky plan nuk është diçka e mirë.

“Nëse ne nuk e dimë për çka po negocion edhe çka po nënshkruan, a po dëshirojnë të na bëjnë befasi, a është diçka e bukur që po pret një moment për t’ua bërë befasi qytetarëve Nëse do të ishte plan i mirë na kishte treguar me tupan, kishin dalë në shesh duke thënë çfarë kryeministri keni”, është shprehur Nushi.

Sipas tij, plani po shfaqet si diçka e mirë për Kosovën, por nga presidentja u shfaq si “fake news”, disa ditë më pas kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë që “është plan që shërben si bazë e mirë për negociata mes Kosovës dhe Serbisë”.

Nushi ka thënë se arsyeja pse nga PSD-ja janë lyer dritaret e Qeverisë me ngjyrë të zezë, është pasi, sipas tij, jemi në një “terr informativ”.

Ai ka shtuar se nga Qeveria nuk kanë asnjë ide se kah po shkon procesi i dialogut, dhe ka përkujtuar se si Kurti kishte kritikuar qeveritë e kaluara për mungesën e transparencës dhe ka premtuar transparencë e që këtë gjë sipas tij, ai nuk është duke e bërë.

“Problemi këtu është se vetë Kurti ka bërë kritikë karshi mungesës së transparencës të qeverive të kaluara dhe ai vetë ka premtuar transparencë radikale karshi procesit të dialogut duke thënë që ai nuk është proces i dy manakëve nëse ju kujtohet kur fliste për Thaçin. Mirëpo është proces që i prek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ne këtu pajtohemi”, ka deklaruar Nushi.

Ndërkaq, ai ka thënë se çka është “frikësuese” dhe e “gërditshme” për të, se “qysh deputetët e VV-së që kanë vota të qytetarëve janë organi më i lartë vendimmarrës në Kosovë, dalin dhe thonë nuk e kemi parë planin por e mbështesim”.

“Kjo është deklaratë që nuk e di kush mundet me than kështu, çfarë besimi mundet me pas, por nuk mundemi të funksionojmë kështu me besim, kemi organe, kemi Kuvend që duhet me komuniku edhe me qytetarët, dhe jo me besim sepse duhet me u kthy në mesjetë me hap kanunin edhe me funksionu me kanun, ne kemi ligje dhe të gjitha nivelet e qeverisjes dhe është dashtë me u respektu edhe me u ndejk qysh është më së miri”, ka thënë Nushi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.