Siç ka raportuar Reporteri, në një takim me gazetarë, sot ambasadori Hovenier ka thënë se ministrat nuk është mirë të udhëtojnë jashtë vendit në kohë krize.
Ai ka thënë se ata duhet angazhuar brenda vendit.
Shef i kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni ka reaguar sot gjatë ditës ndaj raportimeve dhe pyetjeve nga mediat nëse ministres Albulena Haxhiu i ishte refuzuar viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një përgjigje lidhur me këtë çështje e ka dhënë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Hovenier, duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me vizën për ministren Haxhiu, ka thënë se nuk e sheh të vështirë që një ministër të marr vizë amerikane, por tani për tani, për shkak të krizës pas ngjarjeve në veri, nuk është koha më e duhur që ministrat të udhëtojnë për në SHBA për takime zyrtare.
“Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier.
Gjatë ditës, këshilltari i Haxhiut, Nimoni ka thënë se ministres nuk i është refuzuar viza nga Ambasada e SHBA-ve, ashtu siç është raportuar në media.
“Disa media, kanë drejtuar pyetje dhe po raportojnë se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka refuzuar vizën për Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe është anuluar vizita në ShBA. Një lajm i tillë përveç se është i pavërtetë dhe shpifës, është tendencioz dhe ka për qëllim shpërndarjen e informatave të pavërteta për zyrtaret e lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nimoni.
Ai ka shtuar se me ftesë të autoriteteve Amerikane, në muajin dhjetor të këtij viti, ministrja Haxhiu planifikon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë së cilës vizitë do të ketë takime zyrtare me përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, Departamentit për Drejtësi dhe institucione të tjera.
“Në këtë vizitë, Ministrja Haxhiu do të jetë edhe pjesë e konferencës globale anti-korrupsion në Ëashington DC”, ka shkruar Nimoni.