Ivica Daçiç, nuk ka fuqi ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO, Interpol, KE, dhe OKB. Sukseset e Qeverisë Kurti, dështimet, fokusin, grevën, situatën e fundit në veri, i ka thënë në intervistën e dhënë për Televizionin DTV, anëtari i Partisë Socialdemokrate në Hanover të Gjermanisë, Remzi Avdullahu. Sipas tij, dita kur Kosova do ta marrë liberalizimin e vizave është muaji fundit i këtij viti.
DTV: Si e vlerësoni Qeverinë e Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Kurti, në dikasteret kryesore të shtetit, siç janë arsimi, ekonomia dhe drejtësia?
Avdullahu: Në këtë 1 vit e 9 muaj qeverisje të qeverisë Kurti , përkundër problemeve të etabluara në fushat e Ekonomisë, Arsimit dhe të Drejtësisë, mendoj që ka bë reforma të domosdoshme, të cilat besoj që qojnë në përmirësimin e përformancës së këtyre dikastereve. Megjithëse greva e arsimtarëve në shtatorë ishte një lloj shantazhi ndaj qeverisë, mendojë që ka pas lëshim në menaxhimin e asaj situate nga ana e qeverisë.
Një veting për mësimdhënësit është i domosdoshëm dhe është në rrugë të mirë.
Shkarkimi i Rektorit dhe procesi i zgjedhjes së rektorit të ri si dhe reformat në arsimin e lartë janë të domosdoshme dhe po bëhen.
-Sa i përket ekonomisë , ka një shtim të theksuar të buxhetit, ruajtje e parasë së mbledhur nga Doganat , nga të hyrat nga diaspora, dhe taksat e mbledhura, duke mos rrjedhur në xhepa vetanakë ose grupe njerëzish të fuqishëm, por në arkën e shtetit është pozitive.
Investime kapitale nuk jam i njoftuar që ka shumë, por kemi 3.2 miliard planifikim i buxhetit për vitin 2023, e që besoj që do të jetë një shtytje e fuqishme ekonomike.
– Në drejtësi, Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, krijimi i Byrosë për verifikim dhe vënia në binarë të Vetingut , janë gjithsesi sukses i qeverisë Kurti
DTV: Kryeministri Kurti në deklaratat e tij ka thënë se ka pasur krijim dhe rritje të vendeve të punës. Për ju sa janë të sakta këto konstatime?
Avdullahu: Unë mendoj që nëse flasim për legalizimin e vendeve të punës dhe zbutjen e informalitetit, ka sukses e që është e arritur e qeverisë.
Sa i përket zbutjes së papunësisë ka të dhëna statistikore e që nuk janë të kënaqshme, por pa prodhim nuk ka rritje të madhe të vendeve të punës.
DTV: Ku shihni interesim më të madh të Qeverisë Kurti për të punuar dhe ku ka ngecur kjo qeveri?
Avdullahu: Fokusi i Qeverisë Kurti po shihet se është në përmbushjen e premtimeve e që janë dhanë gjatë fushatës, e që janë: Luftimi i krimit dhe korrupsionit, zbutja e papunësisë, konfiskimi i pasurisë së paligjshme, përmirësimi i jetës së qytetarëve, forcomi i shtetësisë së Kosovës dhe mendoj që këto gati 2 vite qeverisje ja kanë arritur për t’i përmbushur shumë nga premtimet e dhëna.
DTV: Si e shihni rrolin e opozitës, angazhimin e tyre dhe deklaratat që po i bëjnë ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij, për dialogun me Serbinë dhe situatën në veri të Kosovës?
Avdullahu: Situata e sigurisë dhe sidomos ajo në veri është shumë sfiduese për qeverinë e vendit, duke marr parasysh rrethanat politike si: invazionin Rus në Ukrainë, krizën energjetike dhe të sigurisë në Evropë.
Siguria e Kosovës cenohet gjithsesi nga ndikimi rus përmes Serbisë në zgjerimin e konfliktit, dhe pika neuralgjike është Veriu i Kosovës. Ne, po hymë në finalizimin e krijimit të një rendi të ri të forcave në botë (fuqitë e reja Botërore).
Mendoj që duhet të kemi një unitet dhe koordinim të veprimeve Pozitë – Opozitë për çështjen e interesit Nacional. Opozita po e banë pikërisht të kundërtën !!
Disi sikurse po aplaudojnë dështimin e qeverisë Kurti kundrejt Serbisë, që ta marrin pushtetin dhe të vazhdojnë aty ku kanë mbetur me PAN-in.
Ky destruktivitet është i dëmshëm me pasoja fatale për gjeneratat, po dyshoj që po na përsëritët historia.
Në këtë moment kyç, mendoj që asnjëherë nuk ka pasur përçarje ma të madhe të faktorit politik shqiptarë në Ballkan.
Është e dhimbshme, sepse në futboll vjen rasti çdo minutë, në procese vendimtare si këto tani, vjen njëherë në gjysmë shekulli.
Ne, kemi dështuar dhe jemi copëtuar në “Kongresin e Londrës” në ” Kongresin e Berlinit” pas ” Luftës së dytë Botërore”, pikërisht nga mungesa e unitetit dhe përçarjet brenda neve. Frikohem se po rrëshqasim në të njëjtën pistë tani !
Vërtetë është e dhimbshme!!
DTV: Si e shihni kërkesën shtesë nga Franca ndaj Kosovës, për liberalizim të vizave, është i arsyeshëm apo mesazh me prapavijë politike për Qeverinë e Kosovës?
Avdullahu: Nuk ka kërkesë shtesë nga Franca në lidhje me Liberalizimin e vizave .
Këtu flitet për një kriter që do ti përfshinë qytetarët e të gjitha vendeve jashtëme të BE-së.
Pra flitet për një formularë O-nline të cilin do ta plotësojnë qytetarët që vizitojnë vendet e BE-së, ndërsa kriteret Kosova i ka plotësuar dhe vizat do të hiqen në fund të vitit 2022.
DTV: Kosova në fund të vitit aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç, është aktivizuar kundër. Si e shihni këtë situatë, është koha tani, duhet të pritet apo?
Avdullahu: Lobimi i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, kundër anëtarësimit të Kosovës në BE nuk është risi. Sinqerisht do të isha befasuar po të ishte ndryshe!!
Fuqia e Daçiçit, në pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si: BE, NATO, Interpol, KE, dhe OKB është minimale.
Problem paraqet qëndrimi i 5 vendeve të BE-së të cilat nuk e kanë pranuar Kosovën dhe në OKB, qëndrimi Rus dhe Kinez.
Lypset ne të punojnë shumë në forcimin e rendit dhe ligjit dhe angazhimi në Politiken e jashtme. Momentumi i tashëm është shumë i favorshëm për ne.
Varet se si do ta shfrytëzojmë, por Daçiçi mbetet ende Milloshi i vogël. /DTV/