Kryetari i Parlamentit dhe numri dy i partisë në pushtet, Glauk Konjufca, ka filluar të nxjerrë në publik thelbin e propozimit franko-gjerman tek tash meqë hartuesit e këtij plani rekomanduan konfidencialitet të plotë derisa plani i tyre po merrte formë për të zgjidhur konfliktin politik mes Kosovës dhe Serbisë.
Jo për detajet, por për bazën e tij Konjufca foli gjatë duke argumentuar se në esencë plani është në të mirën e Kosovës, derisa e quajti edhe si hapin më të madh të Kosovës që nga viti 1999 në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Serbinë. Megjithatë, ai thotë se ky plan nuk përputhet 100 përqind me interesat e Kosovës.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili me zgjedhjet e fundit të VV’së u bë njeriu më i afërt i Kurtit, ka folur më së shumti deri më tani për planin frako-gjerman. Derisa Bislimi ishte i pari që tha se dokumenti është më i favorshëm për Serbinë, Kurti doli e përmirësoi duke thënë se përbën “bazë të mirë”. Por, Konjufca është shndërruar në promovues të tij, duke thënë se Kosova s’e ka luksin ta refuzojë. Ai ka zgjedhur pikën më të fortë të dokumentit, nenin 2, duke thënë se Kosova s’humb asgjë edhe nëse nuk e merr notën verbale të njohjes nga Serbia.
“Bashkësia ndërkombëtare, shtetet më të fuqishme europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë pozicionimin e qartë – do t’ia propozojnë Serbisë një plan i cili në thelb, nëse do ta përkthesh se çka i bie esenca e tij, është të heqësh dorë në pretendimet e saj njëherë e përgjithmonë prej Kosovës. Ky është thelbi. E ky është plani franko-gjerman”, tha Konjufca në Klan Kosova.
Ai për herë të parë e bëri të ditur edhe strukturën e këtij plani, derisa theksin e vendosi në nenin 2 të marrëveshjes së propozuar.
“Aty është neni 2 dhe neni 2 i kësaj marrëveshje është thelbi i kësaj marrëveshje. Ndërtohet prej tri principeve: është e drejta e barabartë e shteteve; është respektimi i sovranitetit reciprok dhe e drejta e palëve për vetëvendosje”.
Në rast se Serbia vë nënshkrimin e saj në këtë propozim, Konjufca thotë se Serbia pajtohet se Kosova është e pavarur edhe pse jo me notë verbale. Por, për këtë të fundit Serbia duhet ta ndërmarrë me patjetër, qoftë edhe 24 orë para hyrjes në Bashkimin Europian, meqë është kushti i BE-së për ta pranuar Serbinë në Union.
“Nëse mund ta bëj një krahasim, Plani i Ahtisaarit ka qenë më shumë plan për Kosovën, ky tjetri është më shumë për Serbinë. Nëse pajtohet Serbia që Kosova është e pavarur – që relacionet mes Kosovës dhe Serbisë do të organizohen sipas artikullit 2 të kapitullit 2 të Kombeve të Bashkuara që është e drejta e barabartë e shteteve që shkruan aty respektimi i sovranitetit reciprok, si dhe e drejta e Vetëvendosjes të të dyja palëve – atëherë unë mendoj që thelbi i kësaj është shumë më i rëndësishëm se nota verbale e njohjes. Mendoj që plani, mesa e kam, kuptuar përbëhet prej rrathëve koncentrikë. Rrethi i parë koncentrik është ai që do që të vendosë një zgjidhje afatgjate që i normon relacionet ndërshtetërore mes Serbisë dhe Kosovës. Me siguri kjo është për shkak se – po mundohem të kuptoj logjikën e atyre që e kanë përpiluar – që Serbia me heq dorë prej Kosovës”.
Sidoqoftë, Konjufca përmend edhe disa “principe problematike”.
“Tash aty është edhe një princip tjetër pastaj që mundet me qenë problematik për neve që thotë se duhet të respektohen të gjitha marrëveshjet e deritashme”.
Kosova dhe Serbia tashmë i kanë dorëzuar zyrtarisht mendimet e tyre rreth këtij plani tek hartuesit. Sipas Konjufcës, Serbia tashmë e ka refuzuar këtë plan, derisa Kosova i ka pasë disa vërejtje. Këtu, kryeparlamentari zbuloi diçka edhe nga përgjigjja e Kosovës.
“Këto rezerva që i kemi bërë, paraprihen prej fjalisë që “ky është një plan bazë, plan i mirë për t’i zgjidhur deri në njohjen e plotë relacionin e Kosovës dhe Serbisë””.
Sipas Konjufcës, përgjigjja e Kosovës ishte e tillë meqë plani nuk propozon njohjen reciproke – një kusht që Kosova vazhdimisht e ka përmendur si kriter bazë për të nënshkruar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
“Nuk është se pajtohemi 100% përqind ne me atë plan…Unë nuk them që ky është një plan i mirë për Kosovën, sepse s’mund ta quaj të mirë diçka që nuk është në përputhje 100% me interesat tona. Ne gjithmonë kemi thënë që duhet me qenë me njohje”.
Por, Konjufca në këtë kontekst shton se “nuk më duket që Kosova humb diçka pa njohje verbale”.
Përkundër “vërejtjeve”, Kosova s’e ka luksin t’i thotë jo këtij plani, sipas Konjufcës.
“Prej shtatorit kur e kam pa këtë plan jam duke i matur pasojat dhe të mirat. Baza e tij, më duket që u tha edhe prej kryeministrit se është një bazë e shëndoshë për të ecur përpara, për arsye se aty është neni 2”.
Prandaj, Konjufca rekomandon një konsensus nacional mbi këtë çështje dhe thotë se dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, që s’i shkuan në takim Kurtit kur ata i thirri për t’ia shpjeguar këtë plan kanë bërë gabim strategjik.
“Na duhet një konsensus nacional për këtë plan i cili ende nuk është krijuar, pjesa më e madhe e opozitës nuk është pajtuar me atë takim ku Kurti i ka ftuar. Me thënë të drejtën ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që në ato pjesë problematike nëse ka ndonjë brenda planit që e shohim ne, duhet të krijojmë konsensus nacional, se me bë me na ndodh çarjet, p.sh, thyerje të mëdhaja rreth këtij plani, mendoj që Kosova humb shumë”.
Edhe në rast se Serbia e pranon këtë marrëveshje, Konjufca tha se s’mund t’i zihet besë se nuk do të thyhet.
“Edhe kur e nënshkruan Serbia këtë marrëveshje, ajo çdo moment mund ta thyejë këtë. Për shembull mund ta sulmojë Kosovën. Nuk e zgjidh problemin siç po mendojmë, por mendoj që është hapi më i madh deri tash për ta zgjidhur problemin prej 99-ës”.
Kryeparlamentari kosovar tha nuk e di se çfarë pasoja mund të ketë Serbia që e ka refuzuar.
“S’po shoh kurrfarë pasoja. Ndoshta do t’i shohim më vonë”.