Merret vesh se presidenti francez, Emmanuel Macron do të zhvilloj takime sot pasdite me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti, po qëndrojnë në Paris të Francës ku do të marrin pjesë në Forumin për Paqe.
Në këtë takim, Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Sipas asaj që ka mësuar Telegrafi, takimet do të jenë ndaras.
Përgjatë këtij forumi, Osmani do t’i drejtohet panelit të diskutimit mbi bashkëpunimin në kohë kritike për kontinentin tonë bashkë me presidenten e Hungarisë, Katlin Novák, si dhe Jean-Marie Guéhenno.
Krahas aktiviteteve të forumit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë tjerë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave aktuale të paqes dhe sigurisë.
Në anën tjetër kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm dhe i përgatitur për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në qendër, derisa ka thënë se në tavolinë janë dy propozime.
“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”, ka deklaruar Kurti.