I akuzuari për krime lufte, Arsic ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.SH më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht A.K.
“Po ta kisha bërë një gjë të tillë, nuk do ta kisha martuar një shqiptare”, shtoi i akuzuari Arsiç.
Dushko Arsic ka mohuar se ka kryer krime lufte derisa ka thënë se po ta bënte një gjë të tillë nuk do të martohej me shqiptare.
Një deklarim të tillë, Arsic e ka bërë të enjten në seancën fillestare të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ku aktakuzën e ka lexuar prokurori special, Atdhe Dema.
Ndërsa, mbrojtësi i tij, avokati Nebojsha Vllajiç tha se do ta kundërshtojnë aktakuzën dhe disa prova si dhe do të propozojnë prova të tyre, pasi gjykatësi Vesel Ismaili i njoftoi për të drejtën në kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
“Ne gjithqysh do ta kundërshtojmë aktakuzën dhe do t’i kundërshtojmë disa prova, dhe do t’i propozojmë provat tona, 40 ditë është afat i mjaftueshëm”, tha i njëjti.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor të këtij viti, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsic në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsicin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.
Aktakuza e bën përgjegjës Arsicin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje si dhe për vrasje.
Arsic akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të njderit B.Sh., ashtu që me 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”.
Sipas aktakuzës, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Ndërkaq, në dispozitivin e dytë, thuhet se i akuzuari Arsiç me 20 prill të vitit 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, fillimisht e ka ndaluar të dëmtuarin A.K., në atë kohë i moshës 15 vjeçare.
Sipas aktakuzës, Arsic bashkë me paramilitarë tjerë serb, të veshur me maicë të zezë lartë, pantallona ushtarake, shami në kokë, të cilët kanë pasur një emblemë me kryq me shkronjat “CCCC”, fillimisht i kanë urdhëruar A.K ta heqë çantën të cilën e ka pasur në shpinë, e më pas i akuzuari Arsiç i ka shkuar nga pas shpinës dhe e ka goditur me tytën e automatikut në pjesën e poshtme të shinës.
Në aktakuzë thuhet se ndërsa si pasojë e kësaj goditje i dëmtuari ka rënë menjëherë në tokë, me fytyrë nga livadhi, e kështu të njëjtit vazhdojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë, në aspektin fizik dhe psiqik.
Gjithashtu, në aktakazë thuhet se më pas është shkrepur arma automatike si pasojë e së cilës e sheh rrëzuar në tokë një person, e që më vonë e kishte kuptuar se bëhet fjalë për të ndjerin B.Sh. nga fshati Trudë. Pas kësaj, thuhet se i akuzuari Arsiç i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët “përpara nënën ja …., shiko ky terroristi”. Gjithnjë sipas aktakuzës, dy ushtarë tjerë që ishin në afërsi të të plagosurit B., njëri prej tyre i është drejtuar të akuzuarit Arsiç me fjalët “”mos e vrit, ky është i gjymtuar, edhe ti ke vëlla të gjymtuar”, e në ato momente i dëmtuari A.K., i ka vërejtur edhe dy persona tjerë të nacionalitetit serbë, të quajtur Dragan Niçiç dhe Boban dhe pas një bisede i ka pyetur të njëjtit “pse bre koshi kjo kështu”, Bobani i ishte përgjigjur “kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji”. Kurse Dragan Niçiç i ishte drejtuar në gjuhën shqipe “kape për duar këtë terrorist dhe shko tregoju terroristëve tjerë se çfarë ka me ju gjet”, e që për shkak të këtyre veprimeve i dëmtuari A.K. i vuan pasojat edhe sot e asaj dite në aspektin fizik dhe psiqik.
Me këtë ka kryer veprën penale “Krime Lufte Kundër Popullatës Civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së./BetimipërDrejtësi