Analisti serb nga Beogradi zbulon planin e Vuçiqit – ja çfarë fshihet pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës

Drejtori i Qendrës për Politikë Praktike në Beograd, Dragan Popoviq, thotë se dalja e serbëve te veriut nga institucionet e Kosovës është një demonstrim i fuqisë së Aleksandar Vuçiqit, për të treguar se ai ende ka potencial për të ndikuar në stabilitetin rajonal.

Popoviq tha se shumica e serbëve nga veriu i Kosovës nuk i marrin vet vendimet e rëndësishme për jetën e tyre, siç karriera profesionale apo edhe vendbanimi, por jetën e tyre e kanë lënë në duar pushtetit autoritar dhe të korruptuar serb.

“Cilado qoftë zgjidhja për Kosovën, këta njerëz tashmë kanë humbur gjënë më të çmuar që kishin – mundësinë për të ndikuar vet në fatin e tyre, dhe kjo është një tjetër tragjedi e shkaktuar nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit me qëllim të forcimit të sistemit të sundimit personal në Serbi”, tha Popoviq.

I pyetur nëse dhe kur serbët do të kthehen në vendet e tyre të punës dhe në institucionet e Kosovës, Popoviq tha për “Danas” se largimi i serbëve te veriut nga institucionet e Kosovës është një demonstrim i fuqisë së Aleksandar Vuçiqit, për të treguar se ai ende ka potencial për të ndikuar në stabilitetin rajonal.

“Besoj se pas vendimit qëndron një kombinim i arsyeve të ndryshme, nga të cilat jo të gjitha patën ndikim të barabartë. Kryesorja është sigurisht mesazhi për bashkësinë ndërkombëtare se ekziston mundësia e përshkallëzimit të konfliktit nga pala serbe dhe se ky faktor duhet të merret parasysh”, tha ai.

Nga ana tjetër, Popoviq potencon se, “autoriteteve serbe gjithsesi iu duhet ta radikalizojnë situatën sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që çdo zgjidhje të mundshme të ardhshme ta paraqesin si më të mirën e mundshme në atë moment ose të paktën si një të keqe më të vogël në krahasim me luftën, spastrimin etnik apo skenarë të ngjashëm katastrofikë”.

“Nuk kam dyshim se ka një rivalitet të konsiderueshëm edhe ndaj Kurtit, i cili, ndryshe nga paraardhësit e tij, sillet në mënyrë të ngurtë dhe nuk tregon gatishmëri as për t’u dorëzuar, as për t’iu përshtatur presioneve nga perëndimi. E gjithë kjo së bashku solli vendimin për largim nga institucionet e Kosovës”, shpjegon Dragan Popoviq.

Ai, megjithatë, beson se kthimi i serbëve në institucione do të jetë edhe pjesë e vlerësimit politik të autoriteteve në Serbi, nëse kjo mund të paraqitet si fitore e politikës së Vuçiqit.

“Në përgjithësi, më së paku pyeten vetë serbët në veri të Kosovës, të cilët kushedi për të satën herë janë monedhë për kusuritje”, tha Popoviq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.