“Nuk ka asnjë marrëveshje. Nuk ka propozim të BE-së, kemi diskutuar disa elemente për dalje nga kriza por nuk ka dakordim”, tha Bislimi, duke shtuar se gjërat nuk duhet të diskutohen në publik.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është konfrontuar verbalisht me gazetarët për çështjen e targave, derisa është pyetur se a ka marrëveshje të tre.
Bislimi ka thënë se nuk ka asnjë marrëveshje me Serbinë për targat.
I pyetur se çfarë do të ndodh pas të hënës kur edhe nis shqiptimi i gjobave për veturat me targa ilegale, Bislimi iu drejtua gazetarit se “pas të hënës vjen e marta”.
“Pas të hënës vjen e marta, a e din ti çka ka me ndodh, unë nuk jam “Nostradamus” jam zëvendëskryeministër i Kosovës”, tha Bislimi.
Bislimi gjatë pjesëmarrjes së tij në diskutimin me temën “Raporti i Zgjerimit: Çfarë ka në të për Kosovën?”, që të mërkurën është organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Shtëpia e Evropës bëri të ditur se në takimin e djeshëm në Bruksel nuk ka pasur marrëveshje për targat dhe se kryengociatori serb, Peta Petkoviq nuk ka qenë i pranishëm në takim.