Me 64 vota për, asnjë kundër e abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 8 nëntor kishin votuar në lexim të dytë Ligjin për masat e përkohshme të produkteve bazike.
Deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa e kanë dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese, ligjin që përcakton çmimin tavan për produktet bazike në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Ky Ligj parasheh disa produkteve t’iu vendoset çmimi tavan. Gjatë shqyrtimit që është bërë nga deputetët nga opozita kanë shprehur kritika ndaj këtij Ligji duke e kualifikuar atë si anti-kushtetues dhe në kundërshtim me ekonominë e tregut të lirë.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se ky Ligj është në kundërshtim e Kushtetutën e Kosovës.
“Ne sapo proceduam në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, kërkesën tonë për të kundërshtuar ligjin, që është miratuar para disa ditëve nga ana e Kuvendit, për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut”, tha Selmanaj.
“Vlerësimi ynë është që në tërësinë e vet ky dokument është anti-kushtetuese. Ne nuk e kundërshtojmë me nene të caktuara por e kundërshtojmë në tërësinë e vet. Kjo iniciativë paraqet një ndërhyrje arbitrare në parimet dhe vlerat e ekonomisë së lirë, e që janë vlera të caktuara në Kushtetutën tonë”, shtoi ai.
Sipas tij, ky Ligj i shkel tri nene të Kushtetutës.
“Ne i kemi specifikuar tri nene të Kushtetutës që kjo nisme e cenon rëndë Kushtetutën e Kosovës. Neni 7 flet për vlerat mbi të cilat qëndron Republika e Kosovës, e ku përfshihet ekonomia, më pas nenin 10 për organizimin e ekonomisë së lirë dhe neni 119 që flet për marrëdhëniet ekonomike”, përfundon Selmanaj.
Lëndët e drurit për djegie, buka dhe vaji ushqimor janë disa nga produktet që pritet të vendoset çmimi tavan. Përveç këtyre produkteve, në këtë listë do të përfshihen drithërat, mielli i grurit, orizi, pastat, qumështi, kripa e kuzhinës, sheqeri kristalor, vezët e pulës, mishi i pulës dhe produktet higjienike.
Po ashtu, në këtë listë do të përfshihen edhe produktet e tjera themelore të konsumit për jetesë, të përcaktuara me vendim të Qeverisë së Kosovës.
Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në muajin shtator ka arritur në 12.7 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në shtator të vitit të kaluar.